Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk po ndërmerr asnjë veprim lidhur me rritjen e çmimeve.
Abdixhiku në seancën e Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga opozita, për të diskutuar lidhur me rritjen e çmimeve, ka thënë se Qeveria e Kosovës është vetëm spektarore, dhe mohuese e krizës.
“Nuk ka parlament sot, një javë e një muaj, në regjion e botë që s’flet për rritjen e çmimeve. Sot këtu në këtë Kuvend na u tha se s’kemi krizë. Neve na duhet një paraseancë. Por fillimisht duhet të flasim a ka krizë apo jo. Këto s’janë çështje politike”, ka thënë Abdixhiku duke iu kundërpërgjigjur shefes së GP-së të VV-së, e cila tha se “opozita ka thirrur seancë vetëm për qëllime politike”.
“Po bëhen 1 muaj e gjysmë që kemi folur për rritjen e çmimeve në këtë Kuvend. Po përballemi me lidhje alarmante të çmimeve. Tema nuk ëshë nacionale e as lokale, është problem. Është rritje reale. Deficiti me këtë qeveri është rritur edhe më shumë. Problemi është se ka krizë alarmante të rritjes së çmimeve. Kur i shohim vendet tjera duke vepruar, e sheh se Qeveria jote është spektatore, s’po bën asgjë. Kjo qeveri është spektatore, mohuese e krizës. Qeveria jonë nuk po i njeh krizat. Të gjitha krizat po i konsideron globale. Nëse janë globale, çfarë po bëni ju?”, u shpreh Abdixhiku.
Debati në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për rritjen e çmimeve ka degraduar deri aty sa është dashur intervenimi i kryeparlamentarit për tërheqje të vërejtjes.
Kjo, pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një moment iu drejtua kryeministrit Albin Kurti: “Kryeministër, lidhe zv.kryeministrin”, duke iu referuar Besnik Bislimit që në një moment kur ai po komentonte fjalimin e tij.
Kjo bëri që kryeparlamentari Glauk Konjufca t’ia tërheqë vërejtjen Abdixhikut për gjuhë joparlamentare.