“Djali i baxhanakut të Shpejtim Bulliqit, tezakja e Vjosa Osmanit, kunata e familjarë”, janë disa nga të punësuarit në konkursin e fundit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, shkruan Insajderi.
Në Komunën e Podujevës me datën 15 qershor të këtij viti është shpallur konkursi për mjekë të përgjithshëm në QKMF me katër (4) pozita , dhe infermier/e i përgjithshëm në QKMF me katër (4) pozita.
Të dhëna shqetësuese: 45 fëmijë dhe 20 të rritur janë prekur nga meningjiti në Kosovë
Në rezultatet e këtij konkursi janë pranuar katër kandidatë për pozitën mjekë në QKMF dhe katër kandidatë për pozitën infermierë.
Pesë nga të pranuarit në këtë konkurs janë familjarë të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto punësime familjare ka përfituar edhe çika e tezes së Presidentes Vjosa Osmanit, Jehona Neziri, duke u zgjedhur në pozitën e Infermieres.
Vjosa Osmani me tezen e saj ishte parë gjatë vitit 2019 në publik ku kjo e fundit e kishte pritur në Llap me përqafime gjatë fushatës zgjedhore.
Në këtë vit Osmani kishte kandiduar për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku edhe ishte pritur nga tezja e saj, apo më saktësisht nëna e Jehona Nezirit, e cila u punësua në QKMF të Podujevës.
Djali i baxhanakut të Shpejtim Bulliqit, Ilirian Duriqi, është punësuar si mirëmbajtës në QKMF të Podujevës, mirëpo vetëm pas një jave ai është emëruar si shef i shoferave.
Blerandë Spahiu është përzgjedhur në pozitën e infermieres, e cila është kunata e Drejtoreshës së Shëndetësisë në Podujevë Adelina Stublla. Ndërsa në pozitën e farmacistes u punësua Florentina Gashi. E njëjta është nusja e djalit të motrës së drejtoreshës Stublla.
Fatime Blakqori (mbiemri i vajzërisë) është punësuar në pozitën infermiere mami në QKMF Podujevë, e cila njëkohësisht është kunata (gruaja e vëllaut) të Mjekut të QKMF-së, Bajram Bajgorës.
Punësimet familjare nga pushteti në Podujevë janë pohuar edhe nga opozita në këtë komunë.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë emrat e përmendur më lartë, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigjje. /Botapress.info//