Për të tretën herë, Gabriel Escobar do t’i mbledhë sot në një takim të përbashkët krerët e opozitës në KosovëMemli Krasniqi i PDK’së, Lumir Abdixhiku i LDK’së dhe Ramush Haradinaj i AAK’së, mëngjesin e sotëm do të priten në takim në Ambasadën Amerikanë të Prishtinë nga emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Takimi ishte thirrur nga Këshilltari i DASh’it, Derek Chollet, por i njëjti anuloi krejt në fund ardhjen e tij në Kosovë, pasi siç njoftoi vetë, rezultoi pozitiv në testin për Covid.
Me Escobarin dhe krerët e partive opozitare, në takimin që nis nga ora 8 e mëngjesit, do të jetë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, merr vesh Reporteri.
Gabriel Escobar ka arritur në fundjavë në Kosovë, derisa vizita e tij regjistrohet si zyrtare nga sot kur ka zhvilluar edhe takime pasdite me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Escobar takime të ngjashme pune me krerët e opozitës ka zhvilluar edhe në dy herët e tjera kur ka vizituar Kosovën, gjatë këtij viti.
Vizita e emisarit amerikan zhvillohet në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ku janë vendosur edhe barrikadat nga banorët serb lokal. Po ashtu, në ditët e fundit janë raportuar edhe shpërthime të ndryshme në veri dhe sulme me armë zjarri nga persona me maska.
SHBA-ja, përmes një reagimi të përbashkët të ambasadorëve në Prishtine e Beograd, të dielën kanë kërkuar që barrikadat e vendosura në veri të largohen menjëherë./Botapress.info/