I dërguari special i SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në konferencën e përbashkët me Kryeminsitrin e Kosovës Albin Kurtin tha se vendi i tij është i përkushtuar në pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj, shkruan Gazeta Botapress.
Escobar, ka përsëritur se SHBA’ja mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj.
“Nga perspektiva amerikane, dua të them se SHBA-ja e përkrah plotësisht pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial të saj. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë. Për Kosovën e rajonin, shohim mundësi të jashtëzakonshme. Jeni evropianë, jeni ekonokimisht, në aspekt kulturor dhe historikisht evropianë. Kemi punuar me kolegët evropianë që ta njohin Ballkanin Perëndimor si mundësi të jashtëzakonshme e jo si rrezik. Ne inkurajojmë gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtar potencial të ardhshëm. Dialogu e ka përkrahjen tonë të plotë”, ka thënë Escobar.
Pas këtij takimi në një konferencë të përbashkët për medie, Kurti tha se ‘jemi të vendosur që sovraniteti të mbetet i paprekur’, sa i përket dialogut me Serbinë.
Kurti ka shtuar se Qeveria po e menaxhon edhe pandeminë, duke theksuar se kanë arritur që 60 për qind e popullsisë të vaksinuar.
“Kemi shënuar në vitin e kaluar 10 mijë vende pune të reja dhe kemi pasur rritje ekonomike prej 9.9 për qind sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rritje të të hyrave tatimore, rritje të buxhetit dhe gjithashtu rritje prej afër 60 për qind të investimeve të huaja. Jemi të vendosur t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim. Qeveria e Kosovës e mbështetë dhe është e angazhuar për procesin e bisedimeve në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se janë të vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e dikujt.
Kurti ka thënë se është i gatshëm t’u përgjigjet të gjitha kërkesave të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ai ka thënë se kërkojnë ndihmën e BE-së për angazhim në NATO dhe integrimin evropian./Botapress.info/