Të enjten për vizitë në Kosovë ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kryeministri shqiptar u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, por jo edhe me homologun, Albin Kurti.
Ky i fundit nuk tregoi gatishmëri për ta takuar pavarësisht se Rama tha se plotësoi merakun e Kurtit për nënshkrimin e 15 marrëveshjeve ndërshtetërore.
Refuzimi i Kurtit për tu takuar me Ramën erdhi pasi kryeministri i Shqipërisë anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive vetëm një ditë para se ajo të mbahej me arsyetimin se situata në veri dhe zhvillimet në Kosovë pamundësojnë mbajtjen e asaj mbledhjeje.
E pas takimit Osmani-Rama nuk ka pasur konferencë për media, gjersa lidhur me këtë takim është lëshuar një komunikatë për media nga Zyra e Presidencës.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit.
Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t’i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë, thuhet në njoftim.
Në raport me situatën e sigurisë në veri, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Për më tepër, Osmani ka theksuar se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, Policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë, transmeton Telegrafi.
Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Presidentja falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.
Në takim thuhet se është i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
E pas takimit me presidenten Osmani, Rama ka shkuar në takim me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Konjufca: Propozimi i Ramës për Asociacionin, ka elemente që përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se raportet e kryeministrit Albin Kurti me kryeministrin Rama janë lënduar, por, sipas tij, “nuk janë acaruar sa për të mos u takuar”.
Konjufca tha se mbi të gjitha duhet të shihet interesi kombëtar dhe se raporti Rama-Kurti do të rregullohet.