Janë dy kryeministrat më të fuqishëm shqjptarë në këto 3 deceniet e fundit në dy shtetet shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Edi Rama përfaqëson vullnetin politik të mbi 70% të votuesve shqiptarë në Shqipëri.
Albin Kurti përfaqëson vullnetin politik të mbi 51% të votuesve shqiptarë në Kosovë.
Por në vend se të shfrytëzojnë këtë kapital të madh politik për unitet dhe veprime të përbashkëta në të mirë të dy shteteve, kryeministrat shqiptarë Edi Rama dhe Albin Kurti kanë zgjedhur rrugët e përplasjeve mes vete, duke marrë më vete edhe mllefin dhe yryshin kundër njëri-tjetrit edhe të shumicës politike të popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë.
Pra Edi Rama e Albin Kurti po e luftojnë njëri-tjetrin në ndërkohë që po e mërdhezin dhe po e “tërheqin zvarrë” pas tyre edhe “armatën e tyre politike” në një luftë vëllavrasëse.
Nuk ka ndodhë në deri më tash në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri e në Kosovë që dy kryeministra shqiptarë të jenë të hasmuar kaq shumë kundër njëri-tjetrit.
Edhe Ibrahim Rugova nuk ka patur raporte të mira me Fatos Nanon, por asnj fjalë e keqe mes njëri-tjetrit nuk është dëgjuar. Madje presidenti Rugova e ka pritur Fatso Nanon në selinë e tij në Velani në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë.
Në një periudhë kohore, presidenti Rugova ka patur raporte të ftohta edhe me Sali Berishën por as edhe një fjalë kundër Berishës apo Berisha kundër Rugovës.
Por kjo luftë mes Ramës e Kurti ka një dimension përtej një mosmarrëveshjeve individuale. Bëhet fjalë për një konflikt politik mes popullit shqiptar të Shqipërisë e të Kosovës. Në horizontin medial e në rrjetet sociale tashmë ka shpërthuer ky konflikt brenda kombëtar.
Nëse i lexoni komentet e “armatës politike” të Vetëvendosjes kundër Edi Ramës, ta merr mendja se bëhet fjalë për presidentin rus apo atë serb e jo kundër një kryeministri shqiptar.
Edhe gazetarë e analistë nga Shqipëria kanë marrë “hunin në krah” dhe e sulmojnë Kurtin nga pozita të një paternalizmi e bajraktarizmi të dëmshëm kombëtar. Rama dhe “armata e tij” mediale e politike mendojnë se ata janë “baba” dhe se Kosova, Kurti e populli shqiptar i Kosovës duhet t’i nënshtrohet diktatit të tij politik.
Më një fjalë, Rama e Kurti po del të jenë “dy atllarë” që nuk lidhen dot në një altar.
Por dëmi që ata po i shkaktojnë kombit shqiptar janë të pariparueshme, të dëmshme dhe të rrezikshme.
Ata, bashkë me “armatat” e tyre mediale e të rrjeteve sociale po shkaktojnë përçarjen më të madhe kombëtare në këto deceniet e fundit në trojet shqiptare.
Rama flet e Kurti bërtet! Rama lëshon gjuhën e “armata” e Kurtit nxjerrin fundin e barkut me të shara e fyerje kundër tij.
Po të fliste më mirë e më mbarë Rama për Kosovën e Kurtin, sot do të ishim “superfuqi” e rajonit.
Po ta shanin e ofendonin Vuçiqin e Putinin sa e shajnë e ofendojnë Edi Ramën, fejsbukistat e Kurtit, do t’ua kishte lakmi gjithë shqiptaria.
Por fatkeqësisht po ndodhë e kundërta!
Rama e Kurti janë në konflikt. E bashkë me ata, në “betejën” mes Shqipërisë dhe Kosovës po e tërheqin “zvarrë” edhe “armatën” e tyre që kanë një gjuhë, një komb, një histori dhe një kulturë të përbashkët shqiptare!
Konfliktit mes Ramës e Kurtit, alias mes Shqipërisë e Kosovës i gëzohen vetëm Vuçiqi e Putini.
Prandaj, në mos për asgjë tjetër, për inat të Serbisë e Rusisë, jepni më shumë dashni mes Kosovës e Shqipërisë!