Të dielën u raportua për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur te Hotel Grandi në Prishtinë, ku një 30-vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta. Policia e ka konfirmuar rastin ndërkohë që është bërë e ditur se vdekja e të riut është cilësuar si e dyshimtë. I riu, Erblin Shala dyshohet se u rrëzua në diskon “13 Rooftop” në këtë hotel dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Edhe Innovation Centre Kosovo ka njoftuar për vdekjen e Erblinit, i cili ishte mjeshtër i ‘Motion Design’.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të mikut dhe anëtarit të komunitetit tonë, Erblin Shala. Erblini ishte mjeshtër në Motion Design, drejtoi kompani në fushën e dizajnit, një djalosh plot humor dhe energji pozitive, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.
“Ma ke këput krahun e shpirtin”, vëllai i 30-vjeçarit të vdekur emocionin me postimin
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve nga Gjakova dhe Prishtina.
Të qoftë i lehtë dheu, Erblin!”, thuhet në njoftim.
Nga Policia kanë njoftuar se trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ku do të konstatohet shkaktari i vdekjes.
“Sot rreth orës 06:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në hollin e një Hoteli në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit mashkull 30 vjeç.
Aktualisht policia ka nisur hetimin e rastit si vdekje e dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, ka bërë të ditur Policia për Sinjalin.
Ndryshe, redaksia ka kontaktuar edhe diskon “13 Rooftop”, mirëpo të njëjtit kanë qenë të paqasshëm./Botapress.info/