Gazeta pak më parë raportoi ekskluzivisht për një rast të posedimit të narkotikëve, me ç’rast ka rënë në pranga një person në fshatin Botushë të Gjakovës. Në veturën e të dyshuarit u gjetën mbi 3 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se i dyshuari është Egzon Trezhnjeva, 36-vjeçar.
Trezhnjeva me urdhër të Prokurorit është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Blerja, posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’.
Por si u zbulua ai
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i dyshuari është kapur pasi vetura me të cilën po udhëtonte është ndalur për kontroll nga një njësi policore që po patrullonte në atë zonë.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit të veturës, zyrtarët policorë kanë gjetur në bagazh një çantë brenda së cilës ndodhej marihuana e ndarë në dy qese të ndryshme.
Narkotikët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa Trezhnjeva është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Po ashtu është sekuestruar edhe vetura dhe telefoni personal i të dyshuarit.