Brenda gjashtë muajve do të procedohen aktet nënligjore për themelimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Kështu zotohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila edhe vetë ka mëdyshjet se kjo nismë ligjore do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për interpretim. Sipas saj, shumë shpejt do të bëhet edhe përzgjedhja e drejtorit dhe stafit mbështetës.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës po sheh mundësitë që ky ligj të dërgohet në Kushtetuese, meqë konsiderojnë se është në dëm të interesit shtetëror të Kosovës periudha kohore me të cilën do të merret instituti. Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare shpreh kritikat, meqë konsiderojnë se instituti do të mbetet një instrument në duart e qeverisë.