Një 16-vjeçar ka vdekur si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi pasditen e së martës në fshatin Mirosalë të Ferizajt.
Sipas policisë një i mitur, 16-vjeç, derisa ishte duke e vozitur veturën ka humbur drejtimin e veturës dhe është aksidentuar.
Banorët e këtij fshati janë ankuar se emergjenca dhe policia janë vonuar për një orë derisa kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku edhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e shoferit.
Kryetari i fshatit, Përparim Bytyqi, përveç se për vonesë u ankua se kjo rrugë është e rrezikshme dhe se kanë bërë shumë herë kërkesa për ndonjë zgjidhje, por se nuk ka gjetur përgjigje.
“Kemi bërë kërkesë me shkrim dhe jemi takuar, por policia ankohet se ka mungesa. Kjo rrugë është shumë e qarkullueshme, sepse lidh shumë fshatra të këtij rajoni. S’ka shumë kohë që ka pasë edhe një aksident tjetër, por fatmirësisht s’ka përfunduar me vdekje. Përveç policisë, i kërkoj edhe këtyre të mjekësisë që të mos vonohen kur i thërrasim se për qejf s’i thirrë askush”, tha kryetari./Botapress/