Qeveria me në krye Albin Kurtin dhe me ministër të Financave Hekuran Murati, duket se jashtëligjshëm, po i “shantazhojnë” komunat në aspektin financiarë. Bëhet fjalë për 37.5 milionë euro, mjete këto që janë nga të hyrat vetanake të komunave, por që kanë mbetur të pa shpenzuara për shumë arsye, dhe niveli qendror po tenton që të ua “zhvatë”.
Kjo është hera e parë që në historinë më të re politike dhe institucionale të Kosovës, kur niveli i pushtetit qendror, pra Qeveria, të ndërhyjë në autonominë e Komunave në aspektin financiarë. Krejt kjo po shihet si e paprecedent ndonjëherë, e paligjshme, dhe një shembull i keq edhe në aspektin ndërkombëtar veçmas në dialogun me Serbi, shkrua Gazeta Metro.
Për këtë situatë, kanë folur për Gazetën Metro, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës i cili më së shumti ka ngritë zërin në lidhje me këtë temë, po ashtu në aspektin ekonomik dhe at politik ka folur edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, si dhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ku komuna e tij, dëmtohet më së shumti nga pezullimi i këtyre mjeteve, me plot 29 milionë euro.
Kategorikisht të jashtëligjshëm po e cilëson drejtori nga kryeqyteti tendencën e Qeverisë që komunave të ua marrë këto mjete, edhe për vetë faktin që këto mjete mbahen të pezulluara.
“Femomeni i bartjes së mjeteve ka ndodh gjithmonë dhe si i tillë duhet të vazhdojë, pasi që mjetet janë buxhet direkt i komunave. Bartja e buxhetit është e drejtë e çdo komune, andaj mendoj që një veprim i tillë është i jashtëligjshëm”, tha Musliu.
Se si ka ardhur deri te kjo situatë, drejtori i AKK, Sazan Ibrahimi, tregon shkarazi historikun e këtij veprimi të qeverisë, respektivisht të ministrit të financave.
“Fillimisht duhet të kthehemi mbrapa, kur vitin e kaluar ministri i i financave Hekuran Murati, ka tentuar që të gjitha mjetet e të hyrave vetanake të komunave ti alokoj ato në buxhetin e Kosovës. Kjo ishte një padrejtësi e madhe ndaj nivelit lokal sepse me ligjet në fuqi në veçanti me ligjin e financave publike në nenin 27 të tij thuhet se komunat mund ti bartin mjetet e pa shpenzuara nga vitet paraprake”, tha ai.
Drejtori i AKK thotë se kjo është hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës, ka ndodhur një veprim i tillë dhe se me këtë veprime të Qeverisë, pasojat do të i bartin komunat e prekura.
“Kjo është hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që një veprim i tillë ka ndodhur. Pa këto mjete do të ketë shkrutim të investimeve dhe projekteve kapitale. Këto mjete janë të taksapaguesve të komunave përkatëse shembull, qytetarët e këtyre komunave paguajnë tatimin në pronë, lejet e ndërtimit, gjobat në trafik etj”, theksoi Ibrahimi.
Në anën tjetër për ekonomistin dhe ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e sheh në aspektin perspektiv dhe diplomatik këtë qasje të Qeverisë, ai ka drojë që kjo të përdoret nga Beogradi, që serbët e Komunave me shumicë serbe, të ndjehen edhe më shumë të anashkaluara nga shteti i Kosovës, kur vet ky shtet, u bënë destrukcione financiare komunave me shumicë shqiptare, e kjo do të ishte një alibi e madhe për serbët edhe në dialogun e Brukselit për të kërkuar më shumë.
“Një qasje e tillë e Qeverisë përballë komunave duhet të analizohet edhe nga dimensioni politik, paramendo kur sot në Beograd dhe qarqet diplomatike europiane e shohin se çfarë qasje ka Qeveria aktuale ndaj komunave me shumicë shqiptare, atëherë si mund ti bindim komunat serbe që do të kenë një tretman më të mirë, prandaj duhet të analizohet edhe e ky dimension, dhe me të vërtetë një qasje e tillë më tepër po e dëmton procesin negociatorë se sa që po e ndihmon atë”, tha ai.
Tutje Gerxhliu thekson se vitin paraprak ka pasur mungesë të një dialogun ndërmjet dy pushteteve në vend, dhe me këtë më të dëmtuarit përveç komunave do të jenë edhe qytetarët dhe bizneset, mu në kohën kur kemi nevojë më së shumti për investime kapitale në sektorë të ndryshëm, dhe sipas tij kjo do të jetë edhe pasoja të shumëfishta.
“Në rend të parë duhet të kuptohet se me çka duhet të karakterizohet viti 2022 është fakti se ka mungu dialogu publiko-privat, ka mungu një dialog i mirëfillt në mes të pozitës dhe opozitës, por mbi të gjitha kemi pas një shkëputje totale në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, sot po dëmtohen komunat dhe krahas komunave po dëmtohen qytetarët dhe bizneset, në këtë kohë kur kemi nevojë për investime të shumta në nivel lokal, dhe të kemi një ngrirje të buxhetit në vlerë prej 37 milionë euro, është me të vërtetë një eksperiment që do të ketë efekte jo vetëm në aspektin social, politik e integrues, por do të ketë efekt edhe në aspektin emocional”, tha ish kryetari i OEK.
E avokuesi më i madh i interesave të komunave, Ibrahimi, tregon se me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023 këto mjete janë të pezulluara dhe niveli lokal nuk mund t’i shfrytëzojë, por njëjtën kohë as Qeveria nuk do mundet t’i shfrytëzojë sepse do të bënte shkelje ligjore, ndërsa ai thekson se vetëm vullneti i ministrit të Financave mund të bëjë një zgjidhje brenda kuadrit ligjor aktual.
“Me ligjin aktual këto mjete janë të pezulluara, komunat nuk po mund të shfrytëzojnë, qeveria nuk ka mundësi ligjore ti shfrytëzojë sepse do të bënte shkelje ligjore. Komunat me kushtetutë kanë autonomi financiare. Këto mjete mund të zhbllokohen me vullnetin e ministrit Murati në janar të këtij viti në takim me ministrin Murati dhe kryeministrin Kurti, kryetari i AKK e ka ngritë këtë shqetësim, dhe nga kryeministri është premtuar se në të gjitha brengat e kryetarëve do të përgjigjet me shkrim, mirëpo deri më tani Komunat nuk kan marrë përgjigje”, nënvizoi ai.
E krejt këtë “bllokadë” të krijuar, sipas Gërxhaliut nuk do i bënte nder askujt, dhe kjo le të jetë një shembull se si nuk duhet vepruar, dhe komunat të shihen si partnerë dhe të ecët përpara në interes të të gjithëve.
“Politizimi i menaxhimit të financave në nivel komunal në këtë mënyrë, me të vërtetë është diçka që nuk i bënë nder Kosovës, dhe dua të besoj që gjeneratat e reja që po vijnë të ardhmen duhet të jetë një leksion se si nuk duhet vepruar, dhe përkundrazi si duhet shikuar komuna si partnerë i Qeverisë dhe bashkërisht të ecim drejt ardhmërisë në interes të qytetarëve dhe në interes të vendit”, thekson ai.
Ekonomisti tutje thotë se është kohë të mburremi me shpenzim të buxhetit në projekte, dhe jo të “dëmtohen” niveli lokal, por sipas tij kjo që po bëhet ka një arsye, që këto komuna të mos kenë suksese në qeverisje, të rritet pakënaqësia ndaj kryetarëve aktual, dhe të kalkulohet politikisht për zgjedhjet e ardhshme.
“Është koha që mos të mburremi që nuk po e shpenzojmë buxhetin, por duhet të mburremi me projekte nga të cilat fiton Kosova, fitojnë qytetarët, në veçanti sektori privat. Definitivisht tentativa kryesore si duket është të dëmtohen komunat, në këtë drejtim, çdo ditë e më tepër po e shihni që ka tentativ për të humbur pavarësinë në qeverisje në çdo komunë. Një qasje e tillë po e penalizon qytetarin e Kosovës, dhe si duket është një parapërgaditje, që në zgjedhjet e ardhshme lokale të rritet paknaqësia me këto parti, dhe eventualisht të ketë kalkulime politike”, tha Gërxhaliu.
Sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të mbetët me kaq, pasi që sipas drejtorit të AKK’së, kryetari i kryeqytetit, ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, pasi që ata insistojnë se këto mjete janë ekskluzivisht të tyre, dhe se presin një përgjigje nga Qeveria, të cilën tash e disa muaj nuk e kanë marrë.
“Sa i përket 37.5 milionë eurove, nuk ka reflektim nga ana e Qeverisë. Kryetari Përparim Rama në AKK ka thënë se jam i gatshëm për të proceduar në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje. Tendenca ka qenë që komunave të u merren rreth 100 milionë euro, por me reagimin e AKK, kjo shumë ka mbetë në 37.5 milionë euro. Presim që niveli qendror të iu kthejë përgjigje në kërkesat e komunave, sepse ato nuk janë kërkesa private, por institucionale, sepse kryetarët e komunave përfaqësojnë qytetarët e atyre komunave”, tha Ibrahimi.
Por, se si u mbetën komunave këto mjete të pashfrytëzuara, kreu i AKK’së, përgjegjës bënë nivelin qendror.
“Mos funksionalizimi i bordit të OSHP ka ndikuar në mos shpenzimin e këtyre mjete vetanake, ky bord nuk është bërë funksional me fajin e nivelit qendror”, u shpreh ai.
Kujtojmë që “lufta” ndërmjet komunave dhe Qeverisë deri në këtë pikë ka arritur, pasi që në nivel vendi partia e Kurtit dhe Muratit qeverisë në vetëm 4 komuna.
Kthime të mjeteve, komunat po i kërkojnë duke u mbështetur në legjislacionin aktual në fuqi.
Komunat më të prekura nga kjo politikë e ministrit Murati janë: Prishtina, Peja, Suhareka, Dragashi, dhe Kaçaniku./Botapress.info/