Katër persona kanë vdekur sonte si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur mes tri veturave para rreth një ore, në rrugën Ferizaj-Shtime, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar se tre nga katër personat e vdekur në këtë aksident tragjik janë Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar, teksa personi tjetër akoma nuk është identifikuar.
Vdekjen e tyre e ka konfirmuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, ndërsa si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe një çift, që pësuan lëndime të rënda trupore.
Publikohen pamje nga aksidenti tragjik ku vdiqën katër persona në rrugën Ferizaj – Shtime (VIDEO)
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se burrë e grua janë dërguar tashmë në QKUK, ku po marrin trajtim mjekësor dhe akoma nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Sipas informacioneve të para, të rinjtë ishin në një veturë të tipit BMW, kur papritmas shoferi humbi kontrollin dhe u përplas me veturën në të cilën ndodhej çifti, duke pësuar kështu plagë të cilave nuk arritën t’iu mbijetonin.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Ferizaj dhe kanë njoftuar se vdekjen e viktimave e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 19:15 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në aksin rrugor Ferizaj -Shtime, në hyrje të Shtimes, ka ndodhur një aksident komunikacioni ku janë përfshirë tri automjete të udhëtarëve, vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidentit, 4 persona kanë humbur jetën, vdekja e të cilëve është konfirmuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.
Ekipe të Emergjencave janë në vendin e ngjarjes Njësia e Hetimeve të Komunikacionit Rrugor ka nisur hetimet”.