Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për masën e sigurisë ndaj Millun Milenkoviq, i njohur si “Llune”, i cili dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.
Zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, ka njoftuar se Llunes i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me numër PPS.nr.103/22, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M edhe për dy muaj, gjykata ka marr aktvendimin me numër PPPS.nr.63/22 të datës 10.11.2023, me të cilën është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M deri me datën 12.01.2024”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Llune është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprës penale “Sulmi terrorist” që kishte ndodhur ndaj zyrave të Komisionit Komunal të zgjedhjeve-KKZ në dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ngjarje dyshohet se është i përfshirë edhe ish-zyrtari policor i Kosovës Dejan Pantiq.
Po ashtu ai dyshohet edhe për veprat penale tjera të ndërmarra ndaj ushtarëve të KFOR-it, ku për këto dyshime Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke mbledhur prova dhe dëshmi që e implikojnë të njëjtin edhe në kryerjen e veprave tjera penale./Botapress.info/