Me të nisur viti 2024 dy ndërkombëtarë e vizituan Kosovën për herë të parë. Më 4 janar, Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, ishte në Kosovë. Sonte, më 10 janar, në Aeroportin e Prishtinës mbërriti edhe kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar. Për të dy, vizita në Kosovë ishte e para.
Të enjten e kaluar, Cameron tha se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj duke përmendur këtu procesin e njohjeve të reja.
Gjatë një prononcimi për media me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, më 4 janar në Prishtinë, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.
“Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet, si Britania, duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, ka thënë ai.
Në fund të ditës, Cameron i vizitoi edhe trupat britanike të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë, duke i falënderuar ata për punën e tyre në garantimin e sigurisë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.
“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.
“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.
Cameron ka thënë se në Kosovë, vitin që shkoi, ishin 600 trupa britanike në kuadër të misionit të KFOR-it. Britania e Madhe, po ashtu, trajnon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sonte në Aeroportin e Prishtinës Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar në vizitën e parë ndonjëherë të një kryeministri irlandez në Kosovë.
Për nesër do të ketë ceremoni shtetërore për ardhjen e kryeministrit irlandez.
“Sonte në aeroportin e Prishtinës e mirëpritëm Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar në vizitën e parë ndonjëherë të një kryeministri irlandez në Kosovë. Mirë se vini në Republikën e Kosovës, z. Varadkar”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Të enjten në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.
Në njoftimin e presidencës thuhet se mediat mund të marrin pamje nga pritja si dhe në fillim të takimit.
“Mediat e interesuara për ta përcjellë takimin, luten të jenë në Presidencë më së largu në orën 10:45”, thuhet tutje në njoftim.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e nesërme do të pres me ceremoni shtetërore homologun e tij irlandez, Leo Varadkar.
Ceremonia do të mbahet në sheshin Skënderbeu në orën 09:30.