Dy dënime e dy procese që pritet të fillojnë qysh në nisjen e vitit të ri 2023. Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë viti 2022 me zhvillimet në Gjykatën Speciale të Hagës. Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim lidhur me publikimin e dosjeve, kurse Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte. Në anën tjetër, procesi kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, është afër të fillojë.
Shpëtohet një shtetas i huaj i cili u lëndua në Malet e Sharrit
Aktgjykimi i parë në histori të Dhomave të Specializuara të Hagës, u shpallë në muajin maj të vitit 2022. Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të dy të akuzuar për publikimin e dosjeve dy vjet më parë, u dënuan nga Gjykata Speciale.
Vendimi i trupit gjykues ishte që Gucati e Haradinaj bashkë, të dënohen me 9 vjet burgim. Pra, nga 4 vjet e gjysmë burgim secili. Kjo pasi gjykata vlerësoi se krerët e OVL-UÇK-së kanë tentuar frikësimin e dëshmitarëve dhe ndikimin në procedurat e Gjykatës Speciale.
Në fjalën e tij që e kishte mbajtur në seancë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, deklaroi se ky vendim duhet të shërbejë edhe si mesazh për të tjerët që duan ta pengojnë punën e Gjykatës Speciale. Në anën tjetër, edhe pse u premtua hetim për rrjedhjen e dosjeve, një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë.
Procesi në rastin e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt aktualisht është në Gjykatën e Apelit të Speciales. Edhe në shkallën e dytë të drejtësisë, është mbajtur një seancë ku palët kanë prezantuar palët e tyre. Sipas avokatëve të Gucatit e Haradinajt, gjykata ishte treguar e njëanshme me vendimin për dënim.
“Trupi gjykues gaboi duke dështuar në respektimin e parimeve bazë të një gjykimit të pavarur dhe të paanshëm duke demonstruar një pozicion tepër të njëanshëm në favor të Prokurorisë gjatë gjithë zhvillimit të procedurës duke përfshirë: pranimin dhe vlerësimin e provave të ZPS-së, fushëveprimin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të prokurorisë, fushëveprimi i marrjes në pyetje të tërthortë të dëshmitarëve të mbrojtjes, censurimi i referimit të zyrtarëve serbë në seancat publike, dështimi për ta ruajtur barazinë e armëve, dështimi për të parandaluar dhe sanksionuar sjelljet e komentet e pahijshme të ZPS-së gjatë seancave, dështimi për të mbështetur prezumimin e pafajësisë”, thuhe në një nga pikat e para të ankesës,
Sipas ankesës, trupi gjykues dështoi të përcatojë përgjegjësinë direkte që e kishin të akuzuarit në këtë çështje penale. Në një pjesë avokati i Haradinajt thotë se Gjykata Speciale është mbështetur në thashetheme, duke mos u bazuar në fakte për numrin e dëshmitarëve që sipas tyre janë zhvendosur pas publikimit të dosjeve.
Vendimi nga Gjykata e Apelit pritet të merret në pjesën e parë të vitit 2023.
Dënimi i Salih Mustafës
E pak muaj pas dënimit të Gucatit e Haradinajt, Gjykata Speciale shpalli edhe aktgjykimin e parë që ndërlidhet me akuzat për krime lufte. Salih Mustafa, ish-udhëheqës i Njësitit BIA, u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte.
Gjykata Speciale vlerësoi se nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat e paraqitura gjatë seancave, është vërtetuar kryerja e këtyre veprave penale. Megjithatë, dënimi me 26 vjet u kritikua ashpër. Kjo pasi nuk është marrë fare në diskutim ligji më i favorshëm për të akuzuarin, e që në këtë rast ishte Kodi Penal i ish-Jugosllavisë që ishte në fuqi kur pretendohet se janë kryer veprat penale.
Sipas këtij Kodi, dënimi më i lartë për krime lufte shkon në 20 vjet burgim. As ky aspekt, nuk u mor në trajtim nga trupi gjykues në rastin e Salih Mustafës i njohur si Cali.
Mustafa është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën “gjashtë personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999”.
“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”, deklaroi ajo duke shtuar se ky nuk është vendim kundër UÇK-së por kundër individëve.
Pas vendimit, reaguan edhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë duke e vlerësuar se në Hagë po gjykohen vetëm individët.
Rasti ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
E gjykimi në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, është dorëzuar në dorën e trupit gjykues. Është mbajtur edhe një konferencë statusore, ku jaën diskutuar afatet për nisjen e gjykimit. Sipas deklaratave nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, gjykimi në këtë rast pritet të nisë në fillimin e muajit mars me deklaratat hyrëse.
“Planifikojmë të bëjmë 3 javë radhazi, 20 orë në jave të shpërndara në katër ditë të javës, e premtja është ditë që nuk lidhet me aktivitet gjyqësor. Pastaj një javë nuk do të ketë seanca, përgatiteni edhe ju për gjykim, pastaj kthehemi 3 javë, pastaj 2 javë pushim, pastaj 3 jave, pastaj 1 javë shkëputje. Ky plan do të mundësojë trupin gjykues të punojë sa më shpejt të jetë e mundur në këto kushte. Planifikohen 620 orë aktivitet në sallën e gjyqit në vit”, tha kryegjyqtari Charles Smith.
Rasti i Thaçit e të tjerëve është karakterizuar nga një skandal që mbrojtja vlerësoi se e ka zbuluar. Avokatët e Thaçit e Veselit kishin deponuar parashtrime, lidhur me një dëshmitar të të rrejshëm, dëshmia e të cilit ishte marrë parasysh nga Prokuroria e Hagës. Vetëm pak ditë më pas, ky dëshmitar e pranoi se ka mashtruar. Ai doli të ishte i ndërlidhur me një anëtar të Shërbimit Sekret Serb.
Madje, mbrojtja ka ngritur alarmin se nuk bëhet vetëm për një dëshmitar, por edhe shumë të tjerë që ky person i ka vendosur në kontakt me Prokurorinë e Hagës. Këta të fundit e kanë mohuar se e kanë shfrytëzuar dëshminë e këtij personi.
Sipas parashtrimeve të avokatëve, dëshmitari i rrejshëm i kishte ndërlidhur Hashim Thaçin e Kadri Veselin me dosjet që kishin shkuar në zyret e OVL-UÇK-së në vitin 2020. Megjithatë, ai më vonë e pranoi se ka dhënë dëshmi të rrejshme.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm gjatë vitit 2022, ishte kërkesa e avokatit të Hashim Thaçit që 9 ish-diplomatë të njohur të japin dëshminë menjëherë. Kjo pasi ata kanë rrezik të vdesin. Edhe kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata Speciale. Në mesin e këtyre diplomatëve ishin Wesley Clark, William Walker, Bernard Koucher e të tjerë.
Në nëntor të vitit 2022 janë bërë dy vjet prej kur ish-udhëheqësit e UÇK-së janë arrestuar nga Gjykata Speciale.