Nga java e ardhshme, qeveria gjermane synon të ulë konsumimin e gazit dhe energjisë elektrike.
Nga java e ardhshme, në Gjermani janë të vlefshme rregulloret e reja për kursimin e energjisë. Në bazë të Aktit të Sigurimit të Furnizimit me Energji, qeveria federale miratoi dy dekrete.
E para është e vlefshme nga 1 shtatori deri më 28 shkurt të vitit të ardhshëm, dhe e dyta hyn në fuqi më 1 tetor dhe është e vlefshme për dy vjet – ende duhet të konfirmohet nga dhoma e lartë e parlamentit, Bundesrat.
Sipas Ministrit Federal të Ekonomisë, Robert Habeck, qëllimi i rregulloreve të reja është të “kursehet shumë më tepër gaz” në dy sezonet e ardhshme të ngrohjes nëpërmjet “përpjekjeve kombëtare”. Kjo vlen për familjet, kompanitë dhe institucionet publike. Kush duhet të kursejë dhe si?
Këtu është një përmbledhje e shpejtë.
Temperatura më e ulët në apartamentet me qira
Nga shtatori, është hequr përkohësisht dispozita në kontratat e qirasë së apartamenteve, sipas së cilës nënqiramarrësit janë të detyruar të mbajnë një temperaturë minimale të caktuar në banesë. Kjo do të thotë se qiramarrësit do të lejohen të ngrohin më pak nëse duan të kursejnë energji. Por ata ende mbeten të detyruar që “të parandalojnë dëmtimin e pronës së marrë me qira me sjelljen e duhur në ngrohje dhe ventilim”.
Ngrohja e pishinave private
Pishinat private, të jashtme dhe të brendshme, nuk mund të ngrohen më me gaz ose me energji elektrike. Përjashtim është nëse pishina përdoret për qëllime terapeutike. Ky ndalim nuk vlen për pishinat në hotele, banja publike dhe qendra rehabilitimi.
Temperatura maksimale në ambiente publike
Në ndërtesat publike, dhomat e punës mund të ngrohen deri në 19 gradë Celsius. Nëse në ato dhoma kryhet punë fizike, temperatura mund të jetë më e ulët. Ndërtesat publike preferohet të mos kenë më korridore me ngrohje, salla të mëdha dhe dhoma teknike. Ky rregull nuk zbatohet për spitalet, shtëpitë e të moshuarve dhe institucionet e tjera sociale./Deutsche Welle