Që një kohë, marrëdhënia mes pushtetit dhe opozitës në komunën e Prishtinës janë trazuar. Ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje, që ka shumicën në Kuvendin komunal, e bëri një hap që u kritikua nga pushteti në këtë komunë. Me 25 vota për dhe një abstenim, Kuvendi Komunal shkarkoi 20 aksionarë të dhjetë ndërmarrjeve publike komunale. Çka po ndodh me LVV-në, PDK-në dhe LDK-në në Prishtinë?
Ndërsa sot ka ndodhur edhe një ngjarje tjetër e papritur. Një asambliste e LVV-së, më saktësisht zonja Berna Saraçi, ka kaluar në PDK, gjë e cila nuk është pritur aspak mire nga ana e partisë që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
“Policia ka pasë informata për mundësinë e kidnapimit të policëve”
Në një komunikatë publike, Qendra e LVV-së në Prishtinë ka hedhur një akuzë të tmerrshme në drejtim të ish-asamblistes së saj dhe PDK-së. Në komunikatë, VV shkruan se “urojmë të jetë vendim i marrë me vullnet të lirë” dhe jo ndonjë ndrydhje apo devjim të vullnetit.
“Sot u njoftuam nga mjetet e informimit se një ish asambleiste jonë ka kaluar në një subjekt tjetër. Ky kalim në PDK urojmë të jetë vendim i marrë me vullnet të lirë e jo ndrydhje e devijim i këtij vullneti siç na është paraqitur nga vetë ajo.” – shkruhet fillimisht në komunikatën e VV-së.
Tutje, partia më e madhe në Kosovë (por edhe në Kuvendin Komunal) ka bërë një pretendim, duke theksuar se ishte vetë Saraçi që kishte raportuar kërcënimet e shantazhet ndaj saj e familjes së saj.
“Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Qendrës me grupin e asamblesitëve, ish asambleistja Berna Saraçi na ka paraqitur shqetësimet e saj në raport me kërcënimet dhe shantazhet që po i bëhen asaj dhe familjes së saj nga eksponentë të partive të pushtetit lokal. Të njëjtët e paraqitën sot aderimin e saj në këtë subjekt si sukses.
Jemi të shqetësuar për Bernën si ish kolege e jona por edhe si qytetare e këtij qyteti.” – thuhet në komunikatë, teksa VV-ja ka kërkuar edhe hetim për këtë rast nga organet e drejtësisë.
Gazeta Nacionale është duke provuar në vazhdimësi të marrë një qëndrim nga zonja Saraçi në lidhje me kalimin e saj në PDK dhe për akuzat e nga VV-ja. Nacionale ka pyetur edhe PDK-në për këtë çështje, por deri më tani asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.
Dorëheqja dhe shkarkimet…
Para dy jave, Kuvendi komunal në Prishtinë u mblodh për një mbledhje të jashtëzakonshme. Edhe vendimet aty, ishin të jashtëzakonshme. Në bashkëpunim me AAK-në dhe NISMA-n, LVV-ja arriti të shkarkojë hiç më pak se 20 aksionarë në dhjetë kompani publike, duke vendosur disa prej aktivistëve të saj.
Njëri nga të ndërmarrjet publike, më saktësisht në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), siç njoftoi Kallxo.com, është emëruar edhe Arianit Beqiri, asistenti i kryeministrit Kurti, i cili është edhe asamblist në këtë kuvend komunal.
Në mbledhjen ku me 25 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, u bë shkarkimi i këtyre aksionarëve, nuk qenë prezent as LDK-ja e as PDK-ja, dy partitë që udhëheqin me komunën e Prishtinës. Krejt këtë ngjarje, Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së, e kishte quajtur tentim për kapje të ndërmarrjeve publike nga LVV-ja dhe dy partitë e tjera opozitare.
“Thirrja e seancës nga VV-AAK-Nisma në Prishtinë, ka të bëjë me tentimin e kapjes së pozitave dhe ndërmarrjeve publike nga këto parti.” – deklaronte Retkoceri.
Ndryshe Fehmi Kupina, kryesues i Kuvendit Komunal në Prishtinë nga radhët e LDK-së, javë më parë ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, duke e quajtur veten kryesues të pavarur.
“Unë jam anëtar i pavarur i kryeqytetit dhe nuk do ti përkas asnjë partie apo grupi politik. Mandatin tim si kryesues i Kuvendit dhe si anëtar i pavarur do ta ushtroj në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe do të jem besnik i secilit votues dhe qytetari të Prishtinës.” – deklaronte Kupina.