Kosovës në vazhdimësi po i kërkohet nga faktori ndërkombëtar përmirësimi i marrëdhënieve me pesë shtetet mos-njohëse të sovranitetit të vendit, në mënyrë që të aplikojë në organizata ndërkombëtare dhe t’i sigurohet liberalizimi i vizave. Njohësit e çështjeve ndërkombëtare po kërkojnë koordinim të brendshëm mes pozitës dhe opozitës në mënyrë të përforcimit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Ndonëse udhëheqësi i ekzekutivit, Albin Kurti, pati përmendur platformë dialogu me përfshirje të opozitës, një gjë të tillë nuk ka ndodhur edhe për shkak të kundërshtisë së opozitës, por edhe mos-transparencës qeveritare, shkruan lajmi.net.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, njëherësh edhe profesor universitar, deklaron për lajmi.net se pozita e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar është bllokuar shkaku i dialogut me Serbinë.
“Për mendimin tim është tejet urgjente që të tejkalohen barrierat politike nga e kaluara dhe të krijohet një front politik përballë Serbisë. Për shkak të përgjegjësisë shtetërore, kryeministri Kurti do të duhej t’i ftonte faktorët relevant për një konsensus sa më të gjerë shoqëror, duke filluar nga partitë opozitare, por duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave e shoqërinë civile”, ka deklaruar ai.
Fetoshi thotë se kompleksiteti i situatës së dialogut nuk toleron as vonimin e emërimit të ambasadorëve, e as mungesën e komunikimit ndërmjet pozitës e opozitës.
“Pra, pavarësisht se sa qeveria do të angazhohej për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, nuk mendoj se mund të ketë rezultate për shkak të ndërlidhjes me dialogun. Nëse kemi parasysh zhvillimet e fundit në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik, mendoj se qeveria duhet ta trajtojë me kujdes dhe përgjegjësi maksimale procesin e dialogut dhe raportet me Shtetet e Bashkuara”, deklaron tutje profesori universitar.
Mungesën e koordinimit të brendshëm politik e thekson edhe profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, duke e konsideruar politikën të jashtme si “natyrale” për çdo parti politikë që vjen në pushtet.
“Çështja e aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk është çështje e qeverisë aktuale, kushtimisht, apo problem i identifikuar i saj, ndonëse nuk amnistohet nga përgjegjësia edhe kjo qeveri. Politika e jashtme nuk duhet të konceptohet të një konfiguracioni të caktuar qeverisës; politika e jashtme për Kosovën duhet të jetë çështje natyrale dhe, si e tillë, pozitë dhe opozitë duhet të marrin përgjegjësi në funksion të avancimit të Kosovës”, deklarohet ai për lajmi.net.
Eksperti i rrethanave politike vlerëson se mos-anëtarësimi i Kosovës në organizata të specializuara të OKB-së vjen si rezultat i mos-anëtarësimit të vendit në këtë organizatë. Megjithatë, ai konsideron se do të mund të bëhej më shumë në anëtarësimin në Këshill të Evropës, INTERPOL dhe UNESCO.
Kosova, nga shtatori i vitit të kaluar deri në shtatorin e këtij viti, nuk ka pasur të drejtë të aplikojë në organizata ndërkombëtare dhe të lobojë për njohje, për shkak të moratoriumit të arritur në Marrëveshjen e Washingtonit.
Kryeministri Kurti përgjatë ditës së djeshme, në një konferencë të mbajtur pas takimit në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në Bruksel, deklaroi se Kosova aspiron që të aplikojë për anëtarësim në BE.