Botapress, 20 Korrik – Albin Kurti dhe Veton Surroi i kanë lënë mospjatimet e skajshme dhe duket se po punojnë së bashku në një ‘plan rajonal’.
Kryeministri Albin Kurti dikur e kërkonte të gjallë a të vdekur Veton Surroin, sepse e konsideronte si njërin prej tradhtarëve që merrnin pjesë në negociatat me Serbinë pas përfundimit të luftës. Sot dëshiron ta bëjë Surroin Sekretar të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Surroi ishte prej njerëzve të parë të ekipit negociator të Kosovës me Serbinë, të cilit Albin Kurti dikur ia bëri ‘hallall’ pjesëmarrjen në Rambuje, konferencën e vitit 1999 të cilën ai e kundërshtonte edhe në rrugë deri vonë.
Qeveria e Kosovës ia dërgoi të paktën Bosnjë e Hercegovinës propozimin për ta bërë Surroin Sekretar të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC). Për këtë raportoi mediumi serb në Kosovë, “Kosovo Online” në fillim të korrikut.
Gjithçka u konfirmua të martën. Kandidati për Sekretar të RCC-së, Veton Surroi tashmë, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës ka nisur lobimin në rajon.
Surroi po qëndron në Kroaci dhe dje ishte në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Zagreb, ku u takua me ministrin Gordan Grliq Radman.
Me të ishte edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, emri i të cilit u përmend në një skandal financiar në Slloveni, pas të cilit Kurti i doli në mbrojtje menjëherë.
“Z. Veton Surroi shpaloi idenë e tij lidhur me kandidaturen për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në RCC, si dhe per interesin e madh të Kosovës për të qënë faktor konstruktiv në këtë organizatë, për të cilën, ministri Grliq Radman shprehu mbështetjen në parim. Në takim, i cili ishte tejet miqësor, pala kroate shprehu interesim për idetë e z. Veton Surroi, duke u pajtuar me qasjen që ai e eksplikoi karshi proceseve politike në rajon dhe më gjërë”, u tha në një njoftim të Ambasadës së Kosovës në Kroaci.
Trusti demanton keq Qeverinë: Ka rënie të punësimit në Kosovë
Tentim-ndikimi i Kurtit në rajon me Veton Surroin në krye të RCC-së
Albin Kurti u vetëpërjashtua nga nisma rajonale e Ballkanit të Hapur dhe synon ta vendos Veton Surroin në vendin e ish-ministres së Shqipërisë për Integrimin Europian, Majlinda Bregu në RCC, për të tentuar krijimin e një tjetër kornize të bashkëpunimit rajonal.
Në dokumentin të cilin Qeveria ia ka dërguar MPJ-së së Bosnjës, Surroi lavdërohet me vlerësimin e një njeriu të njohur në rajon për përkushtimin e tij për paqen dhe pajtimin, si dhe për aspiratat europiane dhe euroatlantike të popujve të Europës Juglindore.
“Qeveria e Kosovës i ofron mbështetje të plotë Surroit dhe është e bindur se ai është personi i duhur që mund të vazhdojë vizionin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe do ta vlerësonte lartë mbështetjen e konsiderueshme të Qeverisë së Bosnjë e Hercegovinës për kandidaturën e Veton Surroit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal”, thuhet në dokumentin, për të cilin raportoi “Kosovo Online”.
RCC u formua më 27 shkurt 2008 në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) në Sofje, si pasuese e Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore dhe është organizatë e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal. BE-ja e financon.
Angazhimi i Surroit në Sekretariatin me seli në Sarajevë do t’ia jepte Kurtit një mundësi ndikimi brenda kuadrit të udhëzimeve politike si zhvillimi dhe mbajtja e një klime politike të dialogut, pajtimit, tolerancës e bashkëpunimit dhe shtyerjes së zbatimit të programeve të ndryshme rajonale. Këtu, Kurti mund ta fuste ndonjë ide të tij.
Si u afruan Kurti e Surroi
Qëndrimet e Albin Kurtit dhe Veton Surroit për vendin dhe rajonin ishin diametralisht të kundërta, por janë sinkronizuar vitet e fundit.
Në vitin 2015 ishte bërë lajm takimi i Kurtit me Surroin në një nga restorantet e kryeqytetit, sepse ishte hera e parë që njerëzit po e shihnin në një tavolinë këtë denoncues me të akuzuarin e tij.
Kujtohej se si Albin Kurti, në protestën e përgjakshme të 10 shkurtit 2007 kishte thënë se “Veton Surroi e sheh ëndërr Titon”. Atëherë, dhe shumë më herët, ishte dukur se këta dy s’mund të përafroheshin kurrë.
Por befasisht dhe shumë shpejt ndodhi e kundërta.
Surroi e mbështeti Lëvizjen Vetëvendosje – dhe me sa duket vazhdon ta bëjë – kur ajo nisi të rritej e t’i afrohej pushtetit.
Ai e mirëpriti ardhjen e Kurtit në pushtet në vitin 2019 dhe më pas u raportua se Qeveria e re po e shqyrtonte mundësinë që ta bënte ministër të Jashtëm. Surroi u përmend edhe si opsion i mundshëm për president të vendit, para se Kurti ta zgjidhte Vjosa Osmanin për të hyrë bashkë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Tani, Surroi është këshilltar i Kurtit për dialogun me Serbinë. Ai është pjesë e një grupi të njerëzve që Qeveria i angazhoi vitin e kaluar si ekspertë për ta këshilluar kryeministrin në dialog.
Vendimit i parapriu një diskutim për dialogun Kosovë-Serbi në mars 2021, ku kishin marrë pjesë Kurti dhe Surroi. Ngjarjen e kishte organizuar Fondacioni për Shoqëri të Hapur dhe flitej për prespektivën e Qeverisë në ardhje për dialogun me Serbinë. (Express)