Të premten që shkoi një tym i zi u shfaq në oborrin e QKUK’së. Në mes të ditës, aty iu vu flaka një veture. U bë e ditur se brenda një muaji vetura e Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija u dogj dy herë.
Policia u tregua e përmbajtur kur raportoi për rastin duke dhënë vetëm informacione bazike për atë që ndodhi. “Dy ankuesit meshkuj kosovar kanë njoftuar se iu janë djegur veturat të cilat kanë qenë të parkuara në parkim. Njëri nga viktimat ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në tretman mjekësor. Në vend ngjarje kanë dalë njësitet përkatëse” tha policia.
Por, me të filluar java, me këtë rast u mor personalisht Kryeministri Kurti duke i çuar tutje hetimet. Ai madje dha edhe detaje se për çka ka mundur t’i digjet vetura zyrtarit të QKUK’së, duke i gjetur madje edhe fajtorët.
“Një herë me 19 gusht dhe pastaj sërish me 7 tetor iu dogj vetura Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija” shkroi Kurti sot.
Sipas tij, djegia e veturës ndodhi pasi Vitia ka bërë një raport në të cilin janë gjetur shkelje.
Në një konferencë për media në hapësira e QKUK, Kurti shkoi edhe më tej duke treguar se pse vetura e Vitisë e parkuar në oborr mund të ketë qenë cak i sulmuesve. Qëllimshëm bëri me dije se Vitia punon në QKUK nga viti 2007, kur VV dhe Kurti s’kishin të bënin me pushtetin.
“Raportet e sakta të auditimit ku ka gjetur shkelje duket që i ka shqetësuar të korruptuarit të cilët janë fortë të brengosur se si do të vijohet më tej me procedimin e këtyre shkeljeve. Drejtori i njësisë së auditimit në SSKUK, zotëri Musa Vitija është në këtë funskion që nga viti 2007, pra plotë 15 vjet, ky e njeh mirë sistemin dhe nuk bëhet fjalë për gabime, por bëhet fjalë për shkelje të cilat janë të evidentuara dhe tash ne i ftojmë organet përgjegjëse të Republikës sonë që t’i vazhdojnë hulumtimet e hetimet për ti ndjeku e dënuar përfundsimisht keqbërësit” tha Kurti.
“Me këtë rast unë si kryeministër dhe Qeveria e Republikës së Kosovës shprehim mbëhstetje të plotë për drejtoin e e auditimit këtu në SHSKUK zotëri Musa Vitinë dhe gjithashtu zotohemi që mundemi e dimë në mënyrë që raste të tilla jo vetëm të mos përsëritën por që ata kriminle që e dogjën veturën në oborr të spitalit të shkojnë në burg” shtoi ai.
Kurti, i cili gjatë muajit shtator themeloi Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, të cilin po e udhëheq vetë, pas dorëheqjes së Ministri Latifi ka shtuar interesimin për këtë sferë.
Duke theksuar se “të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij, ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin”, Kurti tha se faj kanë edhe dy kompani.
“Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima”.
Përmendja e “Security Code”, nga ana e Kryeministrit, shkakti reagimin e Sami Lushtakut pasi kompania në fjalë është e djalit të vëllait të tij.
I kontaktuar nga Gazeta Express, Sami Lushtaku thotë se Kurti ka inate personale me të.
“Unë mendoj që kryeministri ka punë me të mençura se me u merr me ato kompani, ai e di që njëra prej kompanive është e djalit të vëllait. Unë mendoj që e ka bë për shkak të deklarimit tim publik që unë i kam thënë Kurtit”, tha Lushtaku për Gazetën Express.
“Atë deklaratën që i kam thënë Kurtoviq, kjo është ajo, inati personal me mua”, tha më tej Lushtaku. “Besoj që kompania e jep arsyetimin (del me një reagim)”, përfundoi Lushtaku.
Shkuarja e Kurtit në SHSKUK, në shenjë përkrahje për zyrtarin e auditimit, është një praktikë e mirë dhe insistimi që të kapen fajtorët meriton cdo lëvdatë, por marrja e Kryeministrit me rastin dhe motivet se pse mund të ketë ndodhur djegia e veturës, thënë më së buti është përzierje në kompetenca të policisë./Botapress.info/