Avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka vazhduar me akuzat e tij ndaj Prokurorisë së Specializuar në lidhje me disa dokumente shfajësuese të cilat Zyra e Prokurorit po akuzohet se i ka fshehur për një periudhë të gjatë nga mbrojtja. Dokumentet në fjalë kanë të bëjnë me një intervistim të Ish-shefit të OSBE-së në Kosovë, Daan Everts, deklaratat e të cilit sipas mbrojtjes nëse do të ishin zbuluar më herët do të kishin pasur rëndësi jetike për lirimin nga paraburgimi të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Janari dhe marsi i vitit 2018 ishin periudha kur Prokurorët e Dhomave të Specializuara intervistuan ish-shefin e misionit të Organiztës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Daan Eveerts.
Në një shkresë të avokatit të Thaçit, Gregory Keohe, të cilën e ka parë lajmi.net, thuhet se Everts pas intervistimit ka nënshkruar një deklaratë më 10 mars të vitit 2018. Sipas të njëjtës shkresë, kërkesa për publikimin e materialeve të Everts u inicua më 2019 dhe leja u mor më 30 qershor 2021, mirëpo dokumentet e Everts u zbuluan vetëm gjashtë muaj më vonë, pra në shkurt të këtij viti.
Skandalizimi i kësaj çështjeje sipas mbrojtjes bazohet pikërisht në faktin se Prokuroria i zbuloi materialet në lidhje me deklaratën e ambasadorit vetëm pas kërkesës së vazhdueshme të tij.
Madje në një rast, siç pretendon mbrojtja, ishte vet Everts që Prokurorisë i kishte kërkuar një kopje të deklaratës që kishte dhënë, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar nga Prokuroria.
Mbrojtja tutje pretendon se në momentin kur Prokuroria kishte zbuluar dokumentet e Everts, ato ishin “varrosur” në një grumbull prej 119 dokumentesh që nuk ndërlidheshin me njëra tjetrën.
“Kur Prokuroria më në fund zbuloi Dokumentet Everts, ato u varrosën në një grumbull prej 119 dokumentesh të palidhura. Një numër i konsiderueshëm prej tyre ishin deklarata ose shënime të takimeve me figura ndërkombëtare, nga SITF, Prokuroria ose ICTY, të datës 2014, 2016, 2017, apo edhe 2002, dhe përmbanin informacione shfajësuese, sipas klasifikimit të zbulimit të Prokurorisë. Këto dokumente duhet të kenë qenë të mbajtura për disa vite dhe duhet të ishin zbuluar më herët – Mbrojtja i kërkoi shprehimisht Prokurorisë që të zbulonte një material të tillë në konferencat e mëparshme të statusit, duke theksuar interesin e saj për deklaratat e figurave ndërkombëtare”, thuhet në shkresën e avokatit Keohe.
Çfarë materialesh shfajësuese për krerët e UÇK-së përmbajnë deklaratat/dokumentet e Daan Everts?
Sipas avokatit Keohe, dokumentet e Everts sugjerojnë në formë të arsyeshme pafajësinë apo “zbusin” fajin e Thaçit në dosjen dhe akuzat e bëra nga Prokuroria e Hagës.
Keohe thotë tutje se dokumentet e Everts ndikojnë jashtëzakonisht shumë edhe në besueshmërinë e provave të Prokurorisë.
“Siç u parashtrua më parë,Ambasadori Everts është një diplomat i lartë holandez, i cili u emërua Shef i Misionit të OSBE-së në Shqipëri në dhjetor 1997 dhe më pas në Kosovë në korrik 1999. Dokumentet Everts janë shfajësuese për sa i përket çështjes së Prokurorisë kundër z. Thaçi, duke qenë se ato sugjerojnë në mënyrë të arsyeshme pafajësinë ose zbutin fajin e z. Thaçi, dhe ndikojnë në besueshmërinë e provave të Prokurorisë, siç dëshmohet nga fragmentet e cituara nga Mbrojtja gjatë Konferencës së Dhjetë të Statusit, të lidhura, ndër të tjera, me mungesën e kontrollit të z. Thaçi mbi UÇK-në dhe mungesën e burimeve për krimet e supozuara”, thuhet në shkresën e Keohes.
Tutje, avokati amerikan vë në pah kundërshtimin që bëjnë dokumentet e Everts në lidhje me akuzat e Prokurorisë se ish-presidenti Thaçi është pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale e cila u përdor për të ushtruar kontroll efektiv ndaj autorëve të krimeve të supozuara në aktakuzë.
Këto dokumente, sipas mbrojtjes e vënë seriozisht në pikëpyetje aftësinë e Thaçit për të parandaluar dhe ndëshkuar krimet.
Madje, sipas pretendimit të mbrojtjes, dokumentet në fjalë shtjellojnë edhe mendimin e Thaçit për krimet e supozuara.
“Z. Thaçi po akuzohet nga Prokuroria se është pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi Kosovën duke ushtruar dhunë dhe duke larguar ata që konsiderohen si kundërshtarë. Ai po ashtu akuzohet për faktin se ka ushtruar kontroll efektiv ndaj autorëve të drejtpërdrejtë të krimeve të supozuara. Dokumentet Everts padyshim që e vënë në pikëpyetje rastin e Prokurorisë, veçanërisht për sa i përket aftësisë së z. Thaçi për të parandaluar dhe ndëshkuar krimet, si dhe mendimin e tij për krimet e akuzuara. Dokumentet Everts janë relevante, shumë provuese dhe prima facie shfajësuese të akuzave të rënda mbi të cilat Prokuroria kërkon një dënim, nga një burim i besueshëm dhe i mirëvendosur”, thuhet tutje në shkresën e Keohes.
Mes tjerash, ish-ambasadorit Everts siç duket ka folur edhe pasi ka parë deklaratën e tij të dhënë për Prokurorinë.
Fjalët e tij janë cituar nga avokati Keohe i Thaçit.
“Rrëfimi i ambasadorit Everts për vetë procesin e intervistimit të Prokurorisë është gjithashtu alarmues. Kur shqyrtoi deklaratën e tij që dha në Prokurori -së, ai tha se: “[edhe pse çdo paragraf i vetëm është i saktë aq i shkruar dhe mund të qëndrojë ashtu siç është, tërësia e deklaratës duket se reflekton një interes më të vogël për informacionin shfajësues sesa për informacionin inkriminues.” . Nga fokusi artificial dhe i mbyllur në provat inkriminuese, Prokuroria shkeli detyrimet e saj sipas Rregullës 62 për të “kontribuuar në përcaktimin e së vërtetës nga Dhomat e Specializuara”. Kjo sjellje vazhdoi më pas kur u “varrosën” Dokumentet Everts për katër vjet, duke u shfaqur vetëm pasi ambasadori i tha ekipit të Thaçit për ekzistencën e tyre”, thuhet në shkresën e Keohes.
Një fakt mjaft interesant që përmend mbrojtja është se sipas saj, dokumentet Everts janë të rëndësishme pasi që ato vënë në pikëpyetje, përveç pretendimeve të prokurorisë, edhe deklaratat e kolegëve të Everts në OSBE, emrat e të cilëve janë të redaktuar.
Sipas mbrojtjes, zbulimi i vonuar i këtyre materialeve ka shkaktuar humbje kohe dhe efikasiteti në hetimet e mbrojtjes.
“Dokumentet Everts janë veçanërisht të rëndësishme pasi ato vënë në pikëpyetje jo vetëm teorinë e NPK-së të Prokurorisë dhe akuzat kundër z. Thaçi, por edhe dëshminë e kolegëve të tij të OSBE-së. Për shkak të këtij zbulimi të vonuar, Mbrojtja ka humbur kohë dhe efikasitet në kryerjen e hetimeve të saj, pasi ajo ka shpenzuar kohë dhe burime hetimore për të kapur të njëjtin informacion që ishte tashmë në posedim të Prokurorisë. Gjithashtu humbi kohë duke folur me ambasadorin Everts pa pasur deklaratën e tij në Prokurori dhe duke shqyrtuar dhe analizuar deklaratat e kolegëve të Everts, të cilat tani do të duhet të rivlerësohen në dritën e Dokumenteve të Everts”, thuhet në deklaratën e Keohes.
Ndryshe, çështja e Daan Everts ishte përmendur edhe në njërën prej konferencave për ecurinë e çështjes të mbajtura më herët në Speciale.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Së fundmi, Apeli ka refuzuar lirimin nga paraburgimi të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, teksa për Thaçin dhe Veselin nuk ka ende ndonjë vendim të publikuar.