Përderisa Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka refuzuar projektin amerikan të gazsjellësit ku do i zgjidhte problemet afatjgate të Kosovës në energjetikë, Maqedonia e Veriut fqinji i jonë në anën tjetër ka marrë para hua nga Banka Europiane për Investime për realizimin e projektit për ndërtimin e gazsjellësit amerikan, shkruan Gazeta Botapress.
Në shtator të këtij viti, Qeveria Kurti edhe zyrtarisht e ka refuzuar projektin e gazit amerikan, të financuar nga MCC(Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit).
Këtë e kishte bërë të ditur ministrja e Ekonimisë, Artane Rizvanolli në një konferencë për media.
“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, kishte thënë ajo.
Ndërkaq derisa Qeveria Kurti i kishte thënë JO një projekti kaq të madh për Kosovën për energjetikën, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka marrë para hua nga Banka Europiane për Investime për realizimin e projektit për ndërtimin e gazsjellësit amerikan.
Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Financave të Maqedonisë së Veriut.
“Sigurohen mjete për realizimin e projektit për ndërtimin e gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe nënkryetarja e Bankës Evropiane për Investime, Liljana Pavllova, nënshkruan Marrëveshjen për garanci të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht, u nënshkrua edhe marrëveshja financiare ndërmjet Resurseve Nacionale Energjetike (RNE) dhe BEI. Vlera e përgjithshme e investimit të projektit është 57.8 milionë euro, me ç’rast me nënshkrimin e marrëveshjes konkrete të huasë sigurohen 28.9 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan ishte cilësuar si një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Partitë opozitare e kishin quajtur të gabuar strategjik këtë vendim dhe veprim të pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon.
Ndryshe, për një projekt të tillë ksihte folur edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se sa i përket aspektit gjeopolitik dhe gjeostrategjik një projekt i tillë nuk duhet të refuzohet. /Botapress.info/