Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Alicia Kearns, deputeten dhe kryetaren e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.
Takimi është zhvilluar dje në zyrën e Presidentes në Prishtinë.
Çka është Marrëveshja Bazë Kosovë – Serbi që SHBA dhe BE po kërkojnë të respektohet
“Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për deputeten britanike, Alicia Kearns, për përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ngritur vetëdijën për rreziqet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor”.
Takimi me deputeten Kearns, thotë Presidenca “u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator”.
![](https://sinjali.com/wp-content/uploads/2023/10/image-127-1024x681.png)
Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë.
Në këtë kontekst, Presidentja ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
“Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që edhe më tej, angazhimi i saj të jetë në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, tha Osmani.
Ndërkaq deputetja Kearns, falënderoi Osmani për ftesën dhe theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.