Veriu i Kosovës përjetoi një episod të ri tensioni të dielën e 31 korrikut. Këtë herë, vendosja e zakonshme e barrikadave afër të cilave qëndronin shumë persona të maskuar e të armatosur, rezonuan në botë si një erë tjetër e keqe nga Moska. Oleksiy Goncharenko, deputet në Parlamentin e Ukrinës, e pa me shumë shqetësim situatën në Kosovë. Reagimet e tij në Twitter ishin konfirmimi se krismat e kallashnikovëve afër Jarinjës dhe Bërnjakut kishin ushtuar disi deri në vendin ku Rusia po pushton dhe shtyp me ushtrinë e saj.
Ashtu siç kishin paralajmëruar Presidentja dhe Kryeministri në Kosovë, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko pa se situata në veri para pak ditësh po e shpallte rrezikun real që kjo pjesë e Ballkanit të tërhiqet në vorbullën e luftës që po zhvillohet në vendin e tij. Më 5 gusht, vendosi ta dorëzonte në Parlamentin e Ukrainës një draft-rezolutë për njohjen e Kosovës, vendin të cilin e kishte vizituar 14 vjet më parë, në vitin kur në Prishtinë ishte shpallur pavarësia.
Në Ukrainë ka opinione të ndara për çështjen e njohjes së Kosovës, thotë Goncharenko në një intervistë për Gazetën . Ai beson se është koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos qëndrojë mënjanë. Tha se Parlamenti i Ukrainës po punon edhe në kohë lufte dhe se ekziston mundësia e shqyrtimit të një vendimi të tillë. Qëndrimin e presidentit Volodymyr Zelensky tha se nuk e di, por ai vet, si deputet opozitar, është i vetëdijshëm se nevojitet një dialog në përpjekjen që shumica e deputetëve ta mbështesin nismën e tij.
Gazeta : Në Kosovë tashmë jeni bërë deputeti më i njohur ukrainas për shkak të mbështetjes tuaj nga dita kur Serbia përmes grupeve kriminale të saj krijoi një atmosferë lufte në veri të vendit. Si e njihni Kosovën? Cila është përshtypja juaj për këtë shtet?
Oleksiy Goncharenko: Në vitin 2008 kam qenë në Prishtinë dhe Prizren. Isha i ftuar në eventin e Këshillit Britanik. Më pëlqeu shumë Prizreni. Një nga qytetet më të bukura që kam parë ndonjëherë! Aty ia bleva gruas sime një byzylyk argjendi. Ai është kthyer në një nga bizhuteritë e saj të preferuara dhe shpesh e mban.
Gazeta : Keni arritur ta bëni temë në Kyiv çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina dhe këtë e kërkuat duke iniciuar një rezolutë në Parlament. Nga këndvështrimi juaj, ka më shumë opinione pro apo kundër propozimit tuaj?
Oleksiy Goncharenko: Mendoj se opinionet në Ukrainë janë të ndara. Dikush qëndron për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështet vendin tuaj. Dikush, përkundrazi, beson se tani nuk është koha për ta shqyrtuar këtë çështje. Por unë mendoj se tani është koha. Ne duhet ta shprehim solidaritetin tonë dhe të mos qëndrojmë mënjanë. Ne nuk duhet të lejojmë që narrativat ruse dhe informacionet e shtrembëruara për Kosovën të përhapen. Ne duhet ta mbështesim pozicionin e botës së lirë. Kosova ka të drejtën e pavarësisë. Populli i Kosovës ka të drejtën e shtetit të tij. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka pranuar se sovraniteti i Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Gazeta : Në një situatë si ajo në të cilën ndodhet Ukraina, kur mund të mblidhet Parlamenti dhe ta shqyrtojë atë rezolutë?
Oleksiy Goncharenko: Parlamenti ynë punon në kohë lufte. Dhe ekziston mundësia e shqyrtimit të këtij vendimi. Por sërish është e nevojshme të përçohet nevoja e këtij vendimi në mënyrë që shumica e deputetëve ta mbështesin atë. Ukraina është pjesë e botës së lirë. Drejtimi shumëkahësh ka mbaruar. Tani jemi në kampin e botës së lirë. SHBA-të, Kanadaja, Britania e Madhe, Australia, Franca, Gjermania etj. e kanë njohur Kosovën. Harta e vendeve që e kanë njohur Kosovës, meqë ra fjala, është shumë e ngjashme me hartën e vendeve që e mbështesin Ukrainën. Çfarë na duhet tjetër atëherë?
Gazeta : Çfarë do t’i shërbente Ukrainës, sipas jush, njohja e pavarësisë së Kosovës dhe sa do t’i shërbente Kosovës?
Oleksiy Goncharenko: Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të tregonte mbështetje të madhe për vendin tuaj. Deklaratat e mia i nervozojnë shumë përfaqësuesit e Serbisë, por ata gjithsesi nuk e mbështesin vërtet Ukrainën. Ne duhet të veprojmë brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar dhe të japim një shembull se si të përgjigjemi në një moment kritik. Tani është një moment i tillë.
Gazeta : Cili mendoni se mund të jetë qëndrimi i Presidentit Volodymyr Zelensky lidhur me njohjen e Kosovës? Keni ndonjë informacion?
Oleksiy Goncharenko: Nuk e di qëndrimin e presidentit Zelensky për Kosovën. Unë jam deputet i opozitës, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të inicioj rezoluta të tilla. Ne jemi vend demokratik, kështu funksionon demokracia. Ne dimë ta zhvillojmë një dialog në vendin tonë.