Takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda procesit “Brdo-Brijun”, i cili u mbajt sot në Slloveni, u zhvillua në një atmosferë të tensionuar në fillim, me këmbimin e disa replikave ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Gjaferoviq me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas pohimeve të burimeve të gazetës serbe “Vecernje Novosti”, të konfirmua pas takimit nga presidenti serb, përplasja filloi pasi pjesëmarrësit në samit morën iniciativë në fillim për të miratuar disa konkluzione sipas të cilave kufijtë në rajon janë të pandryshueshëm. Këto konkluzione i kundërshtoi paraprakisht Aleksandar Vuçiq.
Presidentja Osmani ka theksuar në këtë takim se është e nevojshme pranimi i së vërtetës për atë që ka ndodhur në rajon.
“Kur flasim për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat. Dhe më e rëndësishmja, kur flasim mbi atë se pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit. Përtej detyrës sime si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, ka thekusar presidentja Osmani.
Disa pamje nga ky takim i ka publikuar në Facebook, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Në takim, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, pra pa prezencën e mediave, morën pjesë edhe presidenti kroat, Zoran Milanoviq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, Zheljko Komshiq, Shefik Gjaferoviq dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Pritësi i samitit, presidenti slloven, Borut Pahor, me rastin e samitit të sotëm, javën e kaluar bisedoi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.
Pahor tha në Prishtinë se është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor , ndërsa Osmani tha se dialogu me Serbinë do të vazhdonte, por jo për të folur lidhur me statusin dhe kufijtë e Kosovës./Botapress/