Vlora Çitaku ka bërë një postim në Facebook ku e kritikon kryeministrin e Kosovës për krizën që ka kapluar Kosovën dhe qasjen e tij në dialog, dhe i bën thirrje të punojë, shkruan Gazeta Botapress.
Ajo fillimisht përmend një gjë që Qeveria do të donte ta dëgjonte sa më rrallë, faktin se vetëm 9% e buxhetit për investime kapitale është shpenzuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
“Mua për shembull më ka marrë malli me pasë investime kapitale në Kosovë. Kjo qeveri ka shpenzuar vetëm 9%të buxhetit”, thotë ish-ambasadorja e Kosovës në Washington.
Më tej, ajo përmend edhe pakënaqësitë e mëdha të punëtorëve në sektorin publik, të cilët po paralajmërojnë grevë të përgjitshme.
“Më ka marrë malli me u rritë rrogat për mësuesit, mjekët, policët.”
Çitaku po ashtu godet Qeverinë për reduktimet e rrymës me të cilat po përballet Kosova këto ditë dhe me inflacionin që ka shkuar në qiell.
“Më ka marrë malli mos me u shtrenjëtu e mos me u ndalë rryma në pikë të verës”, shkruan Vlora Çitaku./Botapress.info./