Rritja në nivele të larta të progesteronit dhe estrogjenit në trupin e nënës, ndihmojnë në zhvillimin e foshnjës, por në të njëjtën kohë këto hormone gjithashtu dobësojnë kockat dhe ligamentet e nënës.
Ndoshta ju ka rënë ta dëgjoni shprehjen e vjetër “Fitoni një fëmijë, humbisni një dhëmb!”
Në këtë rast të veçantë, shprehja e vjetër del të jetë e vërtetë dhe fajtor për këtë janë pikërisht hormonet.
Sipas Klinikës Mayo, rritja në nivele të larta të progesteronit dhe estrogjenit në trupin e nënës, ndihmojnë foshnjën të rritet, por këto hormone gjithashtu dobësojnë kockat dhe ligamentet që ankorojnë dhëmbët.
Si rezultat, këto ndryshime hormonale rrisin nivelet e acidit në gojën e nënës, gjë që mund të çojë në prishjen e dhëmbëve. Mishrat e dhëmbëve të nënës gjithashtu do të priren të fryhen dhe të rrjedhin gjak – në përgjigje të progesteronit, duke i bërë kështu të hapur ndaj infeksioneve.
Efektet e hormoneve të shtatzënisë janë të mira për foshnjën, pasi që pos tjerash ndikojnë në ‘ardhjen’ e saj me shtrëngime minimale gjatë procesit të lindjes. Por këto efekte nuk janë aq të mira për dhëmbët e nënës.
Për më tepër, siç e bën të qartë një artikull në revistën JCEM nga Christopher S. Kovacs, hormonet e nënës ndikojnë në ‘marrjen’ e kalciumit nga kockat e saj drejt eshtrave të foshnjës që po zhvillohet.
Prandaj, nënat shtatzëna kanë nivele më të ulëta të kalciumit në sistemin e tyre, gjë që mund t’i bëjë kockat dhe dhëmbët më të dobët. Disa gra janë më pak të ndjeshme ndaj ndryshimeve hormonale dhe nuk do të përjetojnë përkeqësim të gjendjes së dhëmbëve dhe mishrave të dhëmbëve.
Edhe pse higjena e mirë orale mund të minimizojë problemet, efektet e dëmshme të shtatzënisë në shëndetin oral nuk janë plotësisht të pashmangshme. Dhëmbët e dëmtuar janë thjesht pjesë e sakrificës që bëjnë gratë për të sjellë në jetë një fëmijë.
Marrë nga: Science Questions with Surprising Answers
Nga: Dr. Christopher S. Baird – profesor i Fizikës në West Texas A&M University.