Presidentja Osmani s’ka pritje që Ekipi Menaxhues bën një draft-Statut të pranueshëm të Asociacionit. Ajo thotë se Kosova duhet ta ketë një draft të vetin, ndonëse Ekipi, formalisht, është emëruar nga Qeveritë e mëparshme. Për Presidenten, ai është Ekipi i Vuçiqit. Megjithatë nuk dihet nëse kërkesa e Presidentes mund të realizohet. Kryeministri Kurti ka thënë javën e kaluar se ka dashur ta shkruajë vetë draftin, por nuk e kanë lënë. Nuk dihet nëse ai ka përgatitur diçka për t’ia kundërvënë dokumentit që do të prezantohet si draft i ekipit që koordinohet nga deputetja e Vuçiqit.
100 mijë të rinj “pa punë, pa shkollë e pa trajnime“, a ka zgjidhje për ta?
Para se të nisej në Bruksel, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të jetë “i lumtur” të shohë se çka përgatitur Ekipi Menaxhues që është angazhuar ta shkruajë draftin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të Kosovës. Por, Presidentes Vjosa Osmani nuk i është dashur as të pres përmbajtjen e draft-Statutit, për ta ditur se ai nuk bën.
Presidentja që ditëve të fundit s’është dëgjuar të flasë rreth dialogut me Serbinë, sot nga Studimja e Vushtrrisë ka treguar për pritjet e saj nga takimi mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Osmani nuk është shprehur kureshtare si Kurti të shohë punën e Ekipit Menaxhues, të përbërë prej katër serbëve. Presidentja thotë se Kryeministri Kurti duhet ta ketë një draft me vete në Bruksel.
“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturës ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë që është në bazë të Kushtetutës”, tha Osmani.
Pra, Osmani pret që Kosova të shkojë në negociata me draftin e saj, por Kryeministri Kurti nuk ka dhënë shenja se do të ndodhë kështu.
Javën e kaluar, ai tha se ka dashur që ta shkruajë vetë një draft-Statut të Asociacionit, por kjo nuk i është pranuar gjatë bisedimeve njëditore në Ohër.
“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se në të vërtetë nuk ka asnjë përfaqësues të palës kosovare në përbërjen e Ekipit Menaxhues.
Ky ekip ka dalë nga marrëveshja për formimin e Asociacionit. Ndryshimet e fundit në këtë ekip janë bërë në vjeshtën e vitit 2020, kur ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal ishte Goran Rakiq. Ky ekip, që formalisht i bie të jetë krijuar nga Qeveria e Kosovës, ka qëndruar tërësisht i mbyllur, deri vonë sekret, dhe nga Kryeministri dhe ministri i MAPL-së është thënë se nuk kanë pranuar as ftesat për takim.
Kryeministri ka thënë se do të jetë i lumtur të shohë se çfarë ka hartuar Ekipi, ndonëse ai draft do të ish dashur të prezantohet fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, Kurti e ka thënë edhe njëherë se nuk pranon modele të tipit si të Republikës Srpska në Bosnjë Hercegovinë. Megjithatë, Kurti thotë se pranon një nivel të vetëqeverisjes së komunitetit serb në Kosovë.
“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, është shprehur ai.
Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi këtë Ekipin Menaxhues e drejton deputetja e Kuvendit të Serbisë, Danijela Vujiçiq, nga radhët e partisë së Vuçiqit, SNS-së. Ajo është nga Mitrovica e Veriut.
Përveç Presidentes dhe Kryeministrit, për Ekipin Menaxhues ka folur edhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili, poashtu, s’ka pasur pritje se drafti që supozohet të jetë shkruar nga ky Ekip, do të jetë i pranueshëm.
“Nuk e përjashtoj se as ky tjetri [draft-Statuti] nuk do të funksionojë duke parë përbërjen e këtij Ekip të Menaxhimit, ku është i përberë edhe nga deputetët e Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Nëse ky menaxhment ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, mendoj që më e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky menaxhment”, ka thënë Konjufca.
Në marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, që u pranua më 27 shkurt në Bruksel, Kryeministri Kurti në emër të Kosovës është zotuar të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura më parë mes Kosovës dhe Serbisë, që i binte edhe atë për formimin e Asociacionit. Deri vonë, ishte e paqartë nëse Kurti do ta zbatonte këtë zotim, pasi nuk po thuhej deklaritivisht nga ai, e vartësit e tij ishin të bindur se nuk do të kishte Asociacion.
Diplomatët evropianë dhe amerikanë kishin top-prioritet formimin e Asociacionit dhe e shohin takimin e sotëm si hapin e parë në këtë drejtim. Agjenda që është zbuluar gjatë javës nga Bashkimi Evropian, tregon se në takimin e sotëm planifikohet të miratohet Deklarata për Personat e Pagjetur dhe të prezantohet draft-Statuti i Asociacionit, i hartuar nga Ekipi i lartpërmendur Menaxhues.