1,263,606 shikime. 19 Tetor 2021
Nga: Sorelle Amore Finance në YouTube
Min. 0:47 – Polemika pas Rivendosjes së Madhe
Një nga gjërat më të përfolura në qarqet e teorisë së konspiracionit në internet sot është Rivendosja e Madhe (The Great Reset). Dhe, duket se ajo tërheq shumë pikëpamje polarizuese nga pothuajse të gjithë. Dhe, duke pasur parasysh se Rivendosja e Madhe synon të ndryshojë të ardhmen ekonomike të planetit tonë dhe mënyrën se si ne i përdorim paratë, mendova se ishte e përshtatshme që ta mbulonim atë në këtë kanal.
Por, çfarë është saktësisht Rivendosja e Madhe? Gjatë dy viteve të fundit, Rivendosja e Madhe është quajtur shumë gjëra. Disa njerëz besojnë se slogani “Ti nuk do të zotërosh asgjë dhe do të jesh i lumtur”, do të thotë se ne do të zhytemi në një botë autoritare ku qeveritë tona dhe kompanitë e mëdha do të kontrollojnë gjithçka. Dhe, në njërën anë të spektrit, është quajtur një forcë për të mirën që është një iniciativë për të ndihmuar në bërjen e botës një vend më të gjelbër dhe më të drejtë për të jetuar të gjithë ne. Dhe, për të ndryshuar mënyrën se si i qasemi kapitalizmit. Në anën tjetër të spektrit, ka njerëz që besojnë se kjo është vetëm një grupacion i njerëzve të ligë e zvarranikë që përpiqen të pushtojnë botën.
Por, cila është e vërteta? Ekziston një filozofi që unë duket se e ndjek sa herë që ka pikëpamje ekstreme ose polarizuese për një temë të veçantë, ose kur ka një ndryshim të madh në llojet e teorive rreth kësaj teme. Në përgjithësi, sa herë që ka pikëpamje më polarizuese ose ekstreme mbi këtë temë, në shumicën e rasteve, unë konstatoj se këto teori thjesht nuk janë të vërteta. Në përvojën time, e vërteta shpesh qëndron diku në mes, por unë do të pranoj se në këtë video, në fakt nuk do të flas aq shumë për Rivendosjen e Madhe, por do të flas se kush është pas asaj dhe kush mund të përfitojë në të vërtetë nga tregimi që na shitet për këtë plan që mund të ndryshojë botën. Pra, le të flasim për të dhe cilat mund të jenë në të vërtetë motivet e tyre.
Min. 2:24 – Fuqia pas gjithë kësaj gjëje
E vetmja gjë që unë besoj se të gjithë duhet ta dinë për Rivendosjen e Madhe, dhe kjo është të dinë se FEB, ose Forumi Ekonomik Botëror, është fuqia e madhe që qëndron pas gjithë kësaj. Por, çfarë është FEB? Le t’i pyesim ata drejtpërdrejt. Sipas faqes së tyre të internetit, “Forumi Ekonomik Botëror është Organizata Ndërkombëtare për Bashkëpunim Publiko-Privat”. “Forumi angazhon udhëheqësit kryesorë politikë, të biznesit, të kulturës dhe udhëheqësit e tjerë të shoqërisë për të formuar axhendat globale, rajonale dhe të industrisë.”
Për mua, kjo tingëllon mjaft e paqartë, por le të flasim për disa rreshta të ardhshëm që përmenda si përshkrimin e FEB. “Është forum i pavarur, i paanshëm dhe nuk lidhet me ndonjë interes të veçantë. Forumi angazhohet në të gjitha përpjekjet e tij për të demonstruar sipërmarrjen në interesin publik global duke respektuar standardet më të larta të qeverisjes. Integriteti moral dhe intelektual është në qendër të gjithçkaje që bën.”
Për mua, kjo tingëllon e mahnitshme. Nuk mund të debatosh vërtet me të qenit i pavarur, i paanshëm ose të mos jesh i lidhur me ndonjë interes të veçantë. Dhe, më pëlqen që integriteti moral është një nga parimet e tyre kryesore. Më pëlqen të besoj se njerëzit po i bëjnë gjërat për arsyet e duhura dhe vijnë nga një vend i mirë për të ndihmuar në ngritjen e botës. Pra, sinqerisht kjo tingëllon shumë mirë, por unë thjesht dua të luaj rolin e avokatit të djallit dhe t’ju tregoj pse mund të jetë e dobishme të gërmoni pak më thellë, për të zbuluar sfondin e organizatës që do të jetë potencialisht duke formësuar të ardhmen që e jetojmë ne. Për të zbuluar nëse ka një shteg që na çon drejtpërdrejt tek njerëzit që mund të përfitojnë në të vërtetë nga historia që ata po përpiqen të na e shesin, kështu që, le ta bëjmë këtë.
Min. 3:51 – Nga vijnë këto para dhe kjo fuqi?
Një gjë për të cilën jam e sigurt se të gjithë mund të biem dakord është se FEB ka fuqi të jashtëzakonshme. Dhe, ne duket se i shohim mesazhet e tyre pothuajse kudo. Ata kanë figura të famshme publike si zëdhënës të tyre, si Princi Charles, Leonardo DiCaprio dhe Bono Vox. Dhe, ata duket se kanë një furnizim të pafund parash që janë në dispozicion për të reklamuar axhendat e tyre. Pra, nga vijnë këto para dhe ky pushtet? Kjo mund të jetë fokusi se ku qëndrojnë çështjet me FEB.
Sipas Wikipedia’s dhe vetë FEB, Forumi Ekonomik Botëror financohet kryesisht nga 1,000 (një mijë) kompanitë e tij anëtare. Ju mund të gjeni një listë të kompanive anëtare në faqen e tyre të internetit. Dhe, anëtarët e tyre përbëhen nga pothuajse çdo kompani masive që mund ta mendoni, si: Facebook, Goldman Sachs, Walmart, etj, etj.
Pra, FEB ka anëtarë që paguajnë. Dhe, në përgjithësi, kur jeni pjesë e një organizate apo një klubi, çfarë përfitojnë këta anëtarë? Nëse jeni pjesë e një klubi të golfit, tarifat e anëtarësimit janë atje për të ndihmuar me rregullimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e fushës së golfit. Nëse jeni pjesë e një klubi për hiking, paratë mund të përdoren për të mirëmbajtur vetë shtigjet e ecjes, për të organizuar aktivitetet në grup, etj. Tarifat tuaja të anëtarësimit nuk shkojnë tek klubi juaj për të bërë diçka për të mirën e të tjerëve që nuk janë anëtarë të klubit. Pothuajse gjithmonë tarifat e anëtarësimit shkojnë drejt veprimeve që përfitojnë anëtarët e klubit.
Në këtë rast, anëtarët e FEB janë disa nga kompanitë më të fuqishme, më fitimprurëse në të gjithë botën. Kompanitë për të cilat keni dëgjuar patjetër.
Kompanitë sikur ‘Amazon’ që vendos kërkesa të tilla të rrepta për shoferët e dërgesave me porosi, ata janë ç’njerëzuar deri në atë pikë sa është bërë e ditur se urinojnë në shishe, në vend që të bëjnë pushime për toalet.
Kompanitë si ‘Nestle’, të cilat e kanë pranuar hapur skllavërinë e punës në zinxhirin e tyre të furnizimit dhe nuk mund t’u japin garanci klientëve se nuk është përdorur skllavëria në prodhimin e çokollatës së tyre.
Prodhuesit e armëve, si ‘BAE Systems’, të cilët kanë shitur miliarda armë anembanë botës, duke përfshirë kombet si Arabia Saudite, të cilët i kanë përdorur ato armë për të vrarë mijëra civilë të pafajshëm në Jemen.
Kompani si ‘Apple’, të cilët duan që ju të besoni se janë miqësore me mjedisin dhe që kujdesen për planetin sepse përdorin materiale të ricikluara në produktet e tyre. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ata kanë furnizues që kanë vendosur rrjeta në ndërtesat e tyre për të ndaluar punonjësit e tyre të kërcejnë drejt kërkimit të vdekjes.
Dhe, kompanitë e naftës si ‘Chevron’, të cilët janë akuzuar se kanë gënjyer me vetëdije publikun disa herë për dëmin që po i bëjnë planetit tonë dhe për shumë abuzime të të drejtave të njeriut.
Këto janë vetëm disa nga 1,000 kompanitë që financojnë FEB dhe ju mund të gjeni listën e gjerë të të gjitha këtyre kompanive në faqen e internetit të FEB.
Dhe, siç thashë, anëtarët e tyre përbëjnë disa nga kompanitë më të mëdha dhe më të fuqishme në planet. Kompanitë që duket se kujdesen për fitimin mbi të gjitha gjërat tjera. Kompanitë që janë bashkëpunëtore në shkatërrimin e planetit tonë, për sa kohë që ata fitojnë edhe disa para shtesë. Dhe, shumë kompani që i shohin njerëzit si mallra, dhe jo shpirtra që meritojnë respekt. Tani, FEB dëshiron që ju të besoni se paratë e anëtarëve që po i paguhen FEB-it nuk janë atje për të përfituar drejtpërdrejt anëtarët, por më shumë për të ndihmuar në ngritjen e planetit tonë dhe për të siguruar që të bëhet ndryshimi i duhur i madh për planetin.
Dhe, përsëri, mbani mend, në faqen e tyre të internetit, ata deklarojnë se ndërmarrin veprime që janë të pavarura, të paanshme dhe jo të lidhura me ndonjë interes të veçantë. Por, tani që jeni në dijeni të disa prej kompanive që e financojnë FEB, a besoni vërtetë se veprimet e tyre janë plotësisht të pavarura dhe të paanshme?
Min. 7:10 – Fushata më e madhe ekonomike në botë për PR
Dhe, ja ku jemi, e vetmja gjë që besoj se të gjithë duhet ta kenë parasysh sa herë që dëgjojnë mesazhet që vijnë nga FEB. Nga njëra anë, FEB na thotë se ata janë të paanshëm dhe një grup i krijuar në mënyrë që të jetë i pavarur, i paanshëm dhe jo i lidhur me një axhendë specifike. Megjithatë, në realitet, duket se Forumi Ekonomik Botëror nuk është asgjë më shumë se kjo: një organizatë lobuese e financuar nga disa prej kompanive më të fuqishme në të gjithë planetin.
Sa herë që kompanitë lobojnë tek qeveritë ose direkt tek publiku nëpërmjet grupeve të veçanta të interesit, në rastet më të shpeshta ata që përfitojnë janë vetë kompanitë. Historia na ka treguar se kompanitë lobojnë për të shkruar dhe miratuar ligje që do të ndihmojnë kompanitë të bëjnë biznesin që ata duan të bëjnë. Përdorimi i PR-it (marrëdhënieve me publikun) në mënyrë që të formojnë imazhin e publikut për veten e tyre, t’i bëjë ata që të duken me të vërtetë të mirë, ndërkohë që ata po na largojnë neve, si edhe pikëpamjen dhe vëmendjen tonë nga gjërat vërtetë të këqija që ata po i bëjnë në praktikat e kompanisë së tyre. Dhe, ata lobojnë në mënyrë që të mund të krijojnë një mjedis për veten e tyre që do t’i ndihmojë ata të bëjnë të vetmen gjë për të cilën duket se u intereson atyre, që është të bëjnë më shumë fitim.
Folur në përgjithësi, sa herë që ka kompani të mëdha që qëndrojnë pas një fushate të marrëdhënieve me publikun, ajo është atje për fitim. Dhe, le të jemi të sinqertë, FEB, Forumi Ekonomik Botëror, duket se nuk është gjë tjetër veçse fushata më e madhe ekonomike e marrëdhënieve me publikun që bota ka parë ndonjëherë.
Tani, përsëri, me të vërtetë do të doja të kisha besim në qëllimet e mesazheve të FEB dhe veprimeve të tyre, dhe duke shpresuar se ata nuk janë aty vetëm për të përfituar dhe rritur fitimet e anëtarëve të tyre. Por në thelb, çdo shembull tjetër në historinë njerëzore na ka treguar se sa herë që janë dhënë shumë para për t’i shitur një mesazh specifik publikut të gjerë, ato nuk janë aty për të përfituar njerëzit, por për të përfituar kompanitë. Ne e kemi parë këtë me “larjen e gjelbër”. Ne e shohim atë kur kompanitë e naftës shkatërrojnë mjedisin tonë për përfitime financiare, ndërsa na bëjnë të besojmë se ata kujdesen për mjedisin. E kemi parë kur kompani si ‘Volkswagen’ kanë gënjyer për emetimet e gazrave në veturat e tyre për të përfituar më shumë, deri në momentin e fundit kur u kapën. Dhe, meqë ra fjala, po, ‘Volkswagen’ është gjithashtu një anëtar me pagesë i Forumit Ekonomik Botëror.
Këto kompani thonë se me të vërtetë duan të bëjnë mirë për planetin, për njerëzit, dhe se ato janë kompani që po përpiqen t’i përmirësojnë gjërat dhe të bëjnë mirë, por veprimet e kompanive duket se po na tregojnë një histori shumë të ndryshme. Këto janë kompani që kanë një histori të gënjeshtrës me qëllimin për të rritur fitimet e tyre. Janë pikërisht të njëjtat kompani që janë atje për të sponsorizuar dhe financuar mesazhet e FEB-it.
Min. 9:33 – Është një klub i madh, por ne nuk jemi në të
Më pëlqen të kem besim te njerëzimi. Më pëlqen të besoj se njerëzit, ne jemi në thelb të mirë dhe se duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne duam të lartësojmë botën dhe se paratë nuk janë shtytësi kryesor i gjithçkaje që ne bëjmë. Por, për fat të keq, në realitet, duket se lakmia e madhe qëndron pas çdo veprimi madhor që po formëson botën tonë ku jetojmë sot.
Kohët e fundit kam postuar një video të quajtur “Kompania që zotëron botën”, e cila kishte të bënte me përcjelljen e rrjedhës së parave për të parë se kush qëndronte në të vërtetë pas pronësisë së bankave dhe botës në përgjithësi. Edhe në këtë video, po synoj të bëj të njëjtën gjë. Do të doja që ju të ndiqnit gjurmët e parave, për të parë se kush qëndron pas këtyre mesazheve që po na shiten për çdo ditë. Dhe, në këtë rast, ne kemi një organizatë të vetme që është këtu duke u përpjekur të diktojë se si do të duket peizazhi i ardhshëm ekonomik në planetin tonë. Dhe kjo organizatë, FEB, po financohet nga disa prej kompanive më të mëdha, më të fuqishme dhe, shpeshherë, me qëllime jo të mira.
Unë e imagjinoj këtë relacion kështu: Forumi Ekonomik Botëror është klubi privat më luksoz i golfit në botë. Dhe vetëm kompanitë më të fuqishme dhe më të mëdha në botë mund ta përballojnë të jenë pjesë e këtij klubi. Planeti ynë është fusha e golfit të tyre. Dhe FEB-i e mirëmban këtë fushë golfi në mënyrë që anëtarët e saj të luajnë në të. Ata duan që fusha e golfit të jetë sa më e mirë për anëtarët e saj. Dhe kështu, ata i formojnë rregullat dhe mjedisin e kursit/shtegut në mënyrë që t’u përshtaten atyre. Fatkeqësisht për neve, ne nuk jemi anëtarë!
Nëse ajo që kam ilustruar këtu është e vërteta, Forumi Ekonomik Botëror po e ruan dhe mirëmban Tokën tonë për t’u siguruar që kompanitë që janë anëtare të përfitojnë sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kenë mjedisin më të mirë për ata që të bëjnë biznes. Dhe nuk është aty për të na sjellë dobi neve. Kjo më kujton fjalët e pavdekshme të të ndjerit George Carlin. “Është një klub i madh, dhe ju nuk jeni në të”. Pra, përsëri, sa herë që dëgjoni çdo lloj fushate të PR-it, veçanërisht ato që do të formojnë të ardhmen ekonomike në të cilën do të jetojmë dhe do të ndikojnë shumë tek ne, sepse, ju pëlqen apo jo, paraja aktualisht e sundon botën. Është me të vërtetë e rëndësishme që të mbani një sy me kujdes se nga vijnë paratë në të vërtetë. Ajo me gjasë do t’ju japë një ide të mirë se cilat janë qëllimet e tyre të vërteta.
Publikuar në YouTube nga: Sorelle Amore Finance
Transkriptimi i videos dhe përkthimi në Shqip: Fatmir Kabashi