Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka dërguar te Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe shteteve të QUINT-it një plan prej pesë pikash, që sipas tij, do të ndihmonte në uljen e tensioneve në veri. Këtë plan, ai e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, raporton Gazeta Sinjali.
Por as kjo nuk mjaftoi, pasi që sipas BE-së, kryeministri Kosovar “nuk ka ndërmarrë hapa të duhur” dhe
Zëdhënësi i BE-s, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se në Bruksel se po vazhdojnë të shqyrtohen masat e mundshme ndaj Kosovës, nëse ndërkohë nuk merren hapat e duhur.
“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtarë nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha Stano.
Ditë të vështira kanë paralajmëruar të gjithë anëtarët e bashkësisë evropiane, të cilët nga katër anët vazhdimisht kanë bërë thirrje që të shtensionohet situata në veri të Kosovës, në të kundërtën do merren masa.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana.
Në takim është diskutuar për situatën në Veriun e Kosovës.
“I dobishëm takimi me Mircea Geoana, për të diskutuar rreth situatës në veri të Kosovës. Ne ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa për de-përshkallëzimin e menjëhershëm. Këtë e theksova edhe kur iu drejtova ambasadorëve të NATO-s“, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Të njëjtën kërkesë e pati dje edhe ambasada britanike, të cilët thanë se se fillimisht duhet të ndërmerren hapa për të shtensionuar menjëherë situatën, posaçërisht duhet të largohen njësitë speciale të policisë nga ndërtesat e komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut dhe se kryetarët e këtyre komunave të vazhdojnë punën e tyre nga lokacione alternative.
“Qartazi, zgjedhjet e reja lokale, ku do të merrte pjesë edhe popullata serbe e Kosovës, janë një zgjidhje e mundshme. Megjithatë, qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar vazhdon të jetë se fillimisht duhet të ndërmerren hapa për të shtensionuar menjëherë situatën, posaçërisht duhet të largohen njësitë speciale të policisë nga ndërtesat e komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut dhe se kryetarët e këtyre komunave të vazhdojnë punën e tyre nga lokacione alternative”, thanë për REL nga Ambasada britanike në pyetjen lidhur me qëndrimin e tyre për planin e prezantuar nga Kurti.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit tha se vazhdon t’iu bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ua kanë bërë të qartë pritjet tona të dyja palëve. Këto diskutime po vazhdojnë”, tha për REL një zëdhënës i DASH-it në pyetjen se si Uashingtoni e komenton planin pesëpikësh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për uljen e tensioneve në veri.
E një konferencë e jashtëzakonshme e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, çoi në këmbë të gjithë.
Rama, i cili njoftoi edhe për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive shqiptare që ishte paraparë të mbahej sot në Gjakovë, tha se për Kosovën është bërë një plan shumë i rëndë për shkak të raporteve me bashkësinë ndërkombëtare, për të cilët thotë se janë duke sosur durimin ndaj Kosovës.
“Unë shpresoj që mund të takohemi për t’u ballafaquar opinionet kushtet kur jemi në prag të lëvizjes së planit së nuk më zë as goja të flas për sanksione, ndaj masave ndëshkuese nga një shteti që është krijuar nga ata që janë në kushte të sosjes durimit. Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve atëherë me shumë frikë plani që është në plan, realisht shumë i rëndë për Kosovën do të vjen lëvizje”, tha Rama.
Ai madje shtoi se besimi dhe mbështetja e ndërkombëtarëve për Kosovën nuk do të jetë siç ka qenë deri më tani.
“Edhe sikur këto masa të jenë të përkohshme, efekti destabilizues i marrëdhënieve në mes bashkësisë euroatlantike dhe Kosovës nuk do të jetë edhe aq i përkohshëm. Besimi dhe mbështetja nuk do të jenë më ashtu siç kanë qenë deri më tani. Do të jenë shumë më të kursyera dhe shumë më të kushtëzuara hap pas hapi dhe jo thjeshtë ndaj Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij, por edhe ndaj Qeverive që do vijnë më pas. Sepse kështu funksionon historia e marrëdhënieve me fuqitë e mëdha”, tha ai.
Ndërkohë siç raporton REL nga burimet diplomatike, BE-ja tashmë ka përgatitur pakon e sanksioneve shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.
Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.
Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri.
Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.
Burimet diplomatike thonë se angazhimi me autoritetet e Kosovës në të gjitha këto fusha do të kthehej në nivel normal sapo që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa që BE-ja i pret në kuadër të dialogut, e të cilat janë shprehur në disa prononcime publike. Para se gjithash, janë kërkesat për tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat e komunave në veri dhe shpallja e zgjedhjeve të reja lokale.
Pavarësisht këtyre thirrjeve, kryeministri Kurti pak ditë më parë në një intervistë për Bloomberg, la të kuptohej se Qeveria e tij nuk e ka ndërmend të tërhiqet.
“Mbetëm edhe pa Shqipërinë”, opozita alarmon për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive
Kurti ka këmbëngulur se duhet të jetë Beogradi, ai që duhet të bëjë hapin e parë.
“Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit të saj. Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme. Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, ka thënë Kurti.
Qëndrimi i Kurtit për veriun nuk ka ndryshuar edhe pas vizitave të javës së kaluar në Kosovë të ndërmjetësit evropian në dialog Miroslav Lajçak dhe të emisarit amerikan, Gabriel Escobar.
Ndryshe, situate në veriun e Kosovës u tensionua më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe, të shoqëruar nga Policia e Kosovës nisën të vendosen në objektet komunale, pavarësisht rezistencës së banorëve lokalë.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, ka pasur edhe veprime të dhunshme nga serbët lokalë, ku si pasojë kanë mbetur të lënduar 30 ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Po ashtu, nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Megjithatë, për t’u shpallur zgjedhjet e reja, ajo ka thënë se 20 për qind e personave në listën votuese në veri të Kosovës, duhet të nënshkruajnë një peticion me kërkesën që të mbahen votimet.