Çfarë dimë për tri objektet bërthamore të Iranit të goditura nga SHBA?

 

Shtetet e Bashkuara kanë goditur tri objekte kyçe bërthamore në Iran, njoftoi presidenti Donald Trump të shtunën në mbrëmje.

Objektet ndodhen në Fordow, Isfahan dhe Natanz – tri pika kyçe në zemër të ambicieve bërthamore të Iranit.

 

Por çfarë dimë për secilën nga këto struktura?

Natanz

Kompleksi bërthamor i Natanzit ndodhet rreth 250 kilometra në jug të Teheranit dhe konsiderohet objekti më i madh i pasurimit të uraniumit në Iran.

Analistët thonë se aty zhvillohen dhe montohen centrifugat që përdoren për pasurimin e uraniumit – teknologji kyçe për kthimin e uraniumit në lëndë djegëse bërthamore,

Sipas organizatës jofitimprurëse Nuclear Threat Initiative (NTI), kompleksi përbëhet nga gjashtë ndërtesa mbi tokë dhe tre struktura nën tokë, prej të cilave dy mund të strehojnë deri në 50,000 centrifuga.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) raportonte se në uzinën mbi tokë të këtij objekti, Irani po pasuronte uranium deri në nivelin 60% të pastërtisë – ndërkohë që uraniumi për qëllime ushtarake pasurohet në 90%.

Fordow

Shumë pak dihet ende për përmasat dhe natyrën e plotë të këtij objekti, që ndodhet pranë qytetit të shenjtë të Qomit dhe është i ndërtuar thellë nën një grup malor.

Shumica e informacionit që disponohet sot vjen nga dokumente iraniane që u morën nga inteligjenca izraelite disa vite më parë.

Sallat kryesore besohet se ndodhen rreth 80 deri në 90 metra nën tokë.
Zyrtarë izraelitë dhe raporte të pavarura kanë deklaruar më parë se vetëm SHBA ka bomba me fuqi të mjaftueshme për të goditur në atë thellësi.

Sipas raportimeve të fundit të IAEA-së, Irani kishte shtuar prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivelin 60% në këtë objekt.

Aty ndodhen aktualisht 2,700 centrifuga, sipas ekspertëve dhe IAEA-së.

Isfahan

Qyteti i Isfahanit, në Iranin qendror, është selia e kompleksit më të madh të kërkimeve bërthamore të vendit.

Sipas NTI-së, objekti u ndërtua me ndihmën e Kinës dhe u hap në vitin 1984.

 

Aty punojnë rreth 3,000 shkencëtarë, dhe objekti dyshohet të jetë “qendra e programit bërthamor të Iranit”.

Në të operojnë tre reaktorë kërkimorë të furnizuar nga Kina, si dhe një qendër konvertimi, një fabrikë prodhimi të lëndës djegëse dhe laboratorë të tjerë kërkimorë.