[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

OPINIONE

A ka kush që e ndalontë keqen urbane të qytetit tim, Gjilanit?! 

  Shkruan Ark.Bahrije Mahmuti Beqiri   Thirrje dhe ri-thirrje përgjegjësve ligjorë të komunës së Gjilanit e të Republikës së Kosovës.   Legjitimimi i së keqes prej neve shumicës që rrimë e sodisim, sjell asgjë më pak se ligësi  shoqërore!     Po e filloj këtë shkresë timen me thënien e Dr. Martin L. Kingut: “Fol për atë në të cilën beson.  Jetët tona fillojnë të mbarojnë në ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi për ne”!     Prandaj, e nxitur si përherë nga përgjegjësia profesionale dhe qytetare e jo pse atakohem unë  personalisht, vendosa sërish ta ngre zërin e të reagoj.     Hartimi i Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe i Hartës Zonale Komunale (HZK), është  proces shumë me rëndësi (do të thosha krucial) për komunën e Gjilanit, por gjithsesi i filluar  mbrapsht nga ky institucion dhe jo pa dije e pa qëllim.     Por, ky proces, sa i rëndësishëm për zhvillimin e komunës, po del të jetë edhe më i leverdishëm  për zhvatësit e komunës. Proces i filluar jo vetëm se në kundërshtim me bazën ligjore por i  projektuar si proces i legjitimimit të katrahurës urbane të instaluar dhe të rritur gjatë këtyre  viteve të qeverisjes komunale – ose më mirë: të qorrollisjes urbane e komunale!     Madje, komuna paska filluar edhe një proces të kundërligjshëm: Hartimin e Hartës Zonale të  Komunës, edhe pse në nenin 11, pika 1.5 të Ligji Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor, thuhet  se Autoritetit Përgjegjës Komunal për Planifikim dhe Menaxhim Hapësinor është përgjegjës që  të bëjë:  “hartimin e Hartës Zonale të Komunës, në përputhje me Hartën Zonale të Kosovës dhe  normat teknike të planifikimit hapësinor, nëntë (9) muaj pas miratimit përfundimtar të Planit  Zhvillimor Komunal.” Paradoksale dhe absurde apo jo?    Ende pa përfunduar procesi i hartimit të  Planit Zhvillimor Komunal, komuna nxiton ta  përfundojë Hartën Zonale të Komunës. Pse ky nxitim se?!  …