Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka paditur Gazetën Nacionale, Berat Buzhalën, Enver Hajrullahun.
“Kam dorëzuar padi në Gjykatën Themelore, në Prishtinë, kundër Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu”, ka shkruar Hajdari në Facebook.
Në shkrimin e Hajdarit ka reaguar Berat Buzhala. Ai në koment ia ka çuar emojin e njohur si haha.
Padinë e ka ushtruar siç thotë Hajdari pasi “sulmet e vazhdueshme shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat, nuk duhet të lejojmë të kthehen në diçka të zakonshme, sepse dëmi që i bëhet opinionit publik, shoqërisë tonë mund të jetë i jashtëzakonshëm”.
Nacionale.com, në fillim të kësaj jave publikoi aferën e përgjimeve të MINT-it të udhëhequr nga ministrja Hajdari. Përgjimet e publikuara nga mediumi ngritin dyshime të forta për keqmenaxhimin e rezervave shtetërore.
Sipas përgjimeve, në të cilat janë të implikuar disa zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, shteti nuk i ka pranuar ende të gjitha produktet, grurë dhe vaj, të blera për rezervat shtetërore ndonëse pagesat për kontraktorët janë kryer.