Shumë qytetarë kanë filluar të blejnë miell në sasi të madhe, pas sulmeve të Rusisë mbi Ukrainën. Qytetarët janë shprehur të shqetësuar për mungesë të mundshme të miellit, bukës dhe derivateve. Edhe çmimet që janë rritur nga ngjallur panik.
Për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi i bukës pritet të rritet deri në 70 për qind më shumë, kjo për shkak se Republika e Kosovës furnizohet nga Serbia me grurë e kjo nga Ukraina, dhe kështu do të ndikojë që të shtrenjtohet mielli e më pas produktet tjera.
Kështu ka deklaruar Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës.
Sipas Tahirit, prodhimet e grurit në vend nuk i plotësojnë kërkesat më shumë se 30 për qind, andaj pjesa tjetër importohet nga Serbia e shtete tjera.
Ndërsa prodhuesit e grurit në komunën e Prishtinës i plotësojnë vetëm përqind kërkesat për grurë.
LEXO EDHE KETE
Lufta në Ukrainë vështirëson situatën në Kosovë: Buka pritet të rritet për 70 për qind
Për të shuar këto shqetësime të qytetarëve, ministri i Financave Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë Rozeta Hajdari kanë dalë sot në një konferencë për media.
Ministri Murati ka thënë se nuk ka nevojë për panik. Gjatë kësaj konference ai shtoi se po ashtu janë siguruar edhe kanale për furnizim në rast se ka mungesë.
“Duhet t’i sigurojmë qytetarët që nuk ka nevojë për panik. I kemi parë sot radhët e gjata para fabrikave të miellit. Ma kujtuan marsin e vitit 2020. Nuk ka nevojë për panik. Jemi siguruar mjaftueshëm dhe kemi siguruar kanale për furnizim në rast se ka mungesë”, ka thënë Murati.
Ndërkaq ministrja Hajdari ka thënë se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.
Ajo është shprehur se këto konstatime kanë ardhur pas takimeve me mullisët e vendit.
“Në takim me mullisët na kanë siguruar që Kosova ka miell edhe për 3 deri në gjashtë muaj. Madje edhe sot na thanë se Kosova nuk ka nevojë për panik”, ka thënë ajo.
Më tutje ministrja ka theksuar se kanë siguruar edhe nga vendet e tjera zotime për furnizim me miell në rast se Kosova mbetet pa rezerva të grurit.
“Kemi edhe vende mike që sigurojnë se do ta ndihmojnë Kosovën me furnizime shtesë nëse ka nevojë pas disa muajsh”, ka thënë Hajdari.
Ndërkaq, fabrika për prodhimin e miellit “M&Sillosi” ka njoftuar të gjithë qytetarët se në treg ka mjaftueshëm miell dhe nuk ka nevojë që të bëhet panik.
Në njoftimin e tyre për media thuhet se furnizimi me grurë është i rregullt dhe prodhimi po vazhdon me kapacitete të plota.Kjo fabrikë ka kërkuar nga qytetarët që të mos krijojnë stoqe të panevojshme, duke shtuar se nëse të gjithë blejnë përnjëherë do të krijojnë vështirësi në furnizimin me miell.
“Njëkohësisht, M&Sillosi kërkon nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave dhe të disa tregtarëve të papërgjegjshëm të cilët arrijnë të përfitojnë nga kjo situatë. Nuk ka nevojë për krijimin e stoqeve të panevojshme nëpër shtëpitë tuaja. Në të gjitha marketet furnizimet me miell vazhdojnë dhe ato do të mbahen të furnizuara me rregull. Nëse të gjithë blejnë përnjëherë është e vështirë të ketë miell tërë kohën. Prandaj, mos bëni panik sepse miell ka mjaftueshëm dhe nuk kemi mungesë të rezervave të grurit”, është thënë në njoftimin e tyre.
Plasja e luftës në Ukrainë, ka bërë që çmimi i naftës dhe derivateve të saj të ngrihet automatikisht për katër centë për litër edhe në Kosovë.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve ka thënë se trendi është rritës dhe se në ditët në vijim mund të ndodhë që cemi të shkojë deri në 1.60 cent për litër.
“Në berzën ndërkombëtare ka pasë menjëherë rritje në 60 dollarë për ton, që do të thotë se ka ndikuar lufta Rusi-Ukrainë”, është shprehur Berjani.
“Nuk mund të themi se kaq do të arrijë cemi, 1.60 apo më tepër, por çmimet janë duke u rritur në mënyrë ekstreme. Nuk jemi larg [1.60] dhe nëse rritja do të vazhdojë më nga katër cent, për pesë ditë mund të arrihet aty”.
Berjani ka thënë se ka shpresë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i lëshojnë në treg rezervat e tyre të naftës.
“Kur pati nisur lufta në Irak, ish presidenti George Bush i pati vendosur rezervat në treg dhe shpresoj se njëjtë do të veprojë edhe Joe Biden. SHBA është shtet i madh”.
Ai më tej ka thënë se pavarësisht situatës, në Kosovë nuk do të ketë krizë për furnizim.
“Edhe nëse dy muaj nuk importojmë fare nuk do të kishte mungesë të naftës tek ne”
Kurse, Ismail Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, vlerëson se pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të ketë ndikon edhe në Kosovë për faktin se ekonomitë në ditët e sotme janë të ndërvarura.
“Invazioni rus e ka çrregulluar balancin ekonomik nëpër bursat ndërkombëtare. Edhe Rusia edhe Ukrainë janë dy shtete dominuese në tregun e drithërave dhe kanë ndikim edhe në derivate të naftës dhe gazit”, është shprehur Kastrati.
“Direkt nuk jemi të cenuar por bursat ndërkombëtare kanë rritur çmimet e drithërave dhe OPEC çmimin e naftës, të gjitha produktet shërbyese dhe prodhuese do të kenë kosto më të lartë. Do të ketë valë të rritjes së çmimeve. Kjo mund të ndodhë që në ditët e para”.
Kastrati ka thënë se Kosova nuk ka rezerva të mjaftueshme shtetërore.
Nis shtrenjtimi i miellit, dje kushtoi 12 euro një thes e sot 15 euro
“Nuk mendoj se duhet të ketë panik për grumbullim të stoqeve. Konflikti është i kontrolluar jashtë bllokut perëndimor. Shteti ynë nuk ka rezerva. Qeveria ka marrë vendim ditë më parë ku ka ndarë 10 milionë për të krijuar rezerva”.
Ndryshe, shumë qytetarë në Kosovë kanë filluar të blejnë miell në sasi të madhe, pas sulmeve të Rusisë mbi Ukrainën./Botapress.info/.