Mbretëria e Bashkuar ka shprehur shqetësim për mungesën e vazhdueshme të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se angazhimi konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe zbatimi i plotë i marrëveshjeve janë thelbësore për stabilitetin rajonal.
Zyra për Punë të Jashtme, Commonwealthin dhe Zhvillim e Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar një deklaratë lidhur me raportin e shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, për zhvillimet në vend, përmes së cilës është paraqitur edhe transkripti i fjalës së përfaqësuesit britanik, Neil Holland.
Në deklaratë, fillimisht është përgëzuar McGurk për raportin dhe prezantimin e tij, ndërsa është theksuar se Kosova po përballet me cikle të shpeshta zgjedhore dhe “pasiguri të zgjatur politike”.
“Zoti Kryesues, raporti i Misionit me të drejtë thekson barrën e vendosur mbi institucionet e Kosovës nga ciklet e përsëritura zgjedhore dhe pasiguria e zgjatur politike. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje partive politike të Kosovës që të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive, në interes të të gjitha komuniteteve, për të siguruar stabilitet institucional, për të rikthyer besimin publik dhe për të mundësuar përparim në reformat prioritare”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar ka mirëpritur gjithashtu rikthimin paqësor të kryetarëve përfaqësues serbë të Kosovës në komunat veriore pas zgjedhjeve lokale të tetorit, duke i inkurajuar ata që të fokusohen në qeverisje praktike dhe bashkëpunim me institucionet qendrore.
Mbretëria e Bashkuar thotë se “mirëpret rikthimin paqësor të kryetarëve përfaqësues serbë të Kosovës në komunat veriore pas zgjedhjeve lokale të tetorit” dhe i inkurajon ata që “të përqendrohen në qeverisjen praktike, duke punuar në mënyrë konstruktive me institucionet qendrore dhe duke iu përgjigjur nevojave të të gjithë qytetarëve që përfaqësojnë”.
Po ashtu, është vlerësuar roli i Misionit të OSBE-së në mbështetjen e proceseve demokratike, veçanërisht në organizimin dhe mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të besueshme, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.
“Mbretëria e Bashkuar e vlerëson shumë punën e Misionit në mbështetje të proceseve demokratike. Asistenca teknike e Misionit për autoritetet zgjedhore vazhdon të luajë një rol jetik në mbështetjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të besueshme, veçanërisht në një mjedis politik kompleks. Ne mirëpresim gjithashtu përpjekjet më të gjera të Misionit për të forcuar sundimin e ligjit, për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve dhe për të promovuar llogaridhënien në mbarë Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Mbretëria e Bashkuar ka përgëzuar edhe përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, për angazhimin e tij në zbatimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë, duke theksuar se procesi duhet të jetë gradual, transparent dhe i koordinuar me komunitetet dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Mbetet thelbësore që ky proces të zhvillohet gradualisht, në mënyrë transparente dhe në koordinim të ngushtë me komunitetet e prekura dhe komunitetin ndërkombëtar. Qasja në shërbimet thelbësore, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe arsimin, nuk duhet të ndërpritet. Dialogu dhe konsultimi mbeten kyçe”, thuhet në deklaratë.
Në fund, Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar llogaridhënie për sulmet në Banjskë dhe ndaj Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në Zveçan, duke theksuar se nuk mund të ketë pandëshkueshmëri.
“Serbia duhet të sjellë para drejtësisë përgjegjësit si për sulmin në Banjskë ashtu edhe për sulmet kundër Policisë së Kosovës dhe personelit të KFOR-it në Zveçan. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për akte të tilla. Bashkëpunimi i plotë me hetimet është thelbësor”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e punës së Misionit të OSBE-së me komunitetet jo-shumicë, përfshirë angazhimin me institucione si Kisha Ortodokse Serbe, duke e cilësuar këtë punë si thelbësore për ndërtimin e besimit dhe stabilitetin afatgjatë.



Të tjera
Aktuale
SHBA e gatshme për partneritet me Kosovën rreth Gazit të Lëngshëm
E ngarkuara me punë e ambasadës
Aktuale
Hapet aplikimi për 100 euro për punëtorët e sektorit privat
Është hapur aplikimi për subvencionimin e punëtorëve të
Aktuale
Bilanc tragjik në Kosovë: Akoma pa u bërë 24 orë, katër persona humbin jetën
Akoma pa u bërë 24 orë,