Në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar një debat lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, pas arrestimit të Kryshefit Ekzekutiv , Nagip Krasniqi.
Një përplasje ka ndodhur në mes kryetarit të AKK-së, Ramush Haradinaj dhe ministres, Albulena Haxhiu. Pas kritikave të Haradinajt, ministrja e Haxhiu, e ka akuzuar atë se prokurori special Elez Blakaj për shkak të tij është dashur ta lëshojë Kosovën.
Haxhiu, Haradinajt: Një prokuror ka ikur për shkak teje, e dimë sa pasuri keni pasur e sa keni
“Në Republikën e Kosovës një prokuror special është dashur ta lëshojë vendin për shkak teje sepse sa ke qenë kryeministër i ke kërkuar raport me shkrim”.
“Bëhet fjalë për Elez Blakajn, kjo është ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë. Për shkak teje dhe për shkak qasjes tënde i njëjti nuk është mbrojtur”, ka thënë Haxhiu.
Për ironi të deklaratave të sotme të Haxhiut, është pikërisht kunati i saj, Dardan Krasniqi, cili ka paralajmëruar se po ikën nga Kosova për shkak të politikës së keqe që po ndodhë në Kosovë.
“Fatkeqësisht më 28 të këtij muaji unë shkoj në Finlandë me frustrimin ma të madh dhe zhgënjimin ma të madh ndaj këtij vendi… dhe mendoj që pjesën tjerë të jetës ta kalojë në Finlandë”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, Krasniqi ka treguar se ka marrë pjesë në tri lufta për shqiptarët, në luftën e Kosovës, të Preshevës dhe atë të Maqedonisë, dhe për shkak të kontributi të tij për Kosovën dhe shqiptarinë ai ka thënë se i dhimbet vetja që ta braktis vendin, por që ai më nuk po sheh shpresë në Kosovë.
“Unë e kam përjetuar tepër dhimbshëm. Është shumë e dhimbshme mirëpo, gjithë angazhimi dhe jeta ime ka qenë, luftë, përplasje,…protesta… jetën se kam bë [nuk kam mundur ta shijojë në Kosovë]. Fatkeqësisht unë po iku se secili pushtet i pas luftës na ka diskriminuar, na i ka marrë të drejta elementare. Mua dhe pushteti [i Lëvizjes Vetëvendosje] për të cilin jam angazhuar ma ka marrë të drejtën elementare që është e garantuar në Kushtetutë me u ndje i barabartë në një konkurs ku aplikon”, ka thënë ai.
Tashmë, Krasniqi ka paralajmëruar se pas dy ditësh do të lëshojë Kosovën. Postimi i fundit i tij në facebook është i një shokut të tij.
“Lamtumirë e mirupafshum, shoku Dardan!
Nuk të mjaftuan as tri luftrat që i bëre për kombin shqiptar (në Kosovë, Preshevë dhe Iliridë) që të vlerësohesh ashtu si duhet në vendin tënd, nga asnjëri prej pushteteve tash e dy dekada pas lufte.
Uroj që në mërgim të gjesh rehatinë dhe jetën e dinjitetshme që shteti jonë nuk ta ofroi ty e mijëra të rinjve e të rejave.
Çdo të mirë shoku im! Shëndet e suksese në jetë!”, ka shkruar ai.