Ose përse ndaj gazetarëve, te partia në pushtet, më te egrit janë njerëz si Luan Dalipi, Armend Muja, Dimal Basha, Mimoza Kusari, Haki Abazi?
Rezistenca e gazetarëve ndaj këtij pushteti është tepër e rëndësishme. Është edhe personale. Është në interesin tonë profesional që t’i dëshmojmë këtij regjimi se e kishte krejtësisht gabim kur mendonte se gazetaria profesionale ka vdekur, kurse gazetarët i shërbejnë pushtetit, sepse po të ishte kështu tash këta janë pushteti e jo opozita, sado që duan t’i uzurpojnë të dy rolet.
Prej ditës kur Vetëvendosja i ka fituar 51 për qind të votave e deri në ditët e sotme, del nga një budalla në skenë dhe tregon qysh gazetarët shiten me nga një picë dhe qysh gazetarët janë llumi i shoqërisë. Kjo në vetvete është një kontradiktë logjike: nëse gazetarët në Kosovë rreshtohen pas pushtetit, pse nuk po rreshtohen edhe prapa këtij pushteti?
Hakiu, Armendi, e Mimoza, do të mund të thoshin se ky pushtet nuk po jua jep mundësinë që të bëheni me të, prandaj po e kundërshtoni. Mirëpo këta, dhe shumë të tjerë si këta, janë permendore e gjallë që ky pushtet, kur i nënshtrohesh, t’i falë të gjitha mëktatët. Pse ua dha këtyre mundësinë?
Nëse ky pushtet e ka falur prej mëkateve Luan Dalipin, Vigan Qorrolin e Agim Bahtirin, nëse ky pushtet e ka falur prej mëkateve Mimozën e Armendin, pse dikush duhet të ketë dyshime që nuk do ta falte pronarin e secilit portal? Haki Abazi, kur nuk ka qenë në Vetëvendosje, kishte shkruar se dyshonte që Astrit Deharin e kishte vrarë vetë partia e tij, pra gardianët jo se jo, por as vetëvrasje jo, kurse këtë gabim dhe mëkat kapital ia fali nëna Parti. Armendi kishte shkuar edhe një katramë më larg, kishte kërkuar që LVV të shpallej antikushtetuese, pra në derën e selisë së partisë t’i qitej një dry i madh. Edhe ky u fal. Sot e kësaj dite e shohim duke folur publikisht në emër të LVV-së, sikur të ishte një prej dy-tre themeluesve të kësaj partie. Flet për të bëmat e LVV-së të para një dekade, kohë kjo kur Armendi e kishte cilësuar të njëjtë me Listën Serbe.
Pra, problemi i LVV-së nuk është parimor. Nuk ka të bëjë me atë se kush çfarë ka thënë në të kaluarën, por kush çfarë thotë tash. Në momentin kur njerëz sikur këta që i përmenda më lart, zvarriten në drejtim të Albinit, ky tregohet i mëshirshëm. Religjionet në parim nuk kanë problem me mëkatarët, sepse ata janë klientela kryesore e tyre. Religjionet kanë problem me njerëzit që e mohojnë religjionin. Për çdo religjion, e edhe për LVV-në, një mëkatar i penduar, pa marrë parasysh mëkatin, është më i vlefshëm se sa një njeri i ndershëm që e mohon religjionin.
Kjo është edhe arsyeja kryesore pse sot e kësaj dite, në Kuvend, në studio televizive, figurat kryesore të partisë në pushtet, e më së shumti llaskucët e llojit të përmendur më lart në këtë tekst, mllefin më të madh e kanë me katër-pesë gazetarë, a me katër-pesë media, që edhe më tutje po provojnë ta bindin pushtetin që percepcionin për ta e kishte gabim, se sa, bie fjala, me opozitën. Pse po bëjnë kështu, është sepse disa prej tyre, me shumë prej nesh, kemi menduar pak a shumë ngjashëm për Albinin dhe LVV-në. Tash kur ata janë konvertuar në diçka të re, në diçka që e kanë sharë dhe pështyrë para pak vitesh, i tmerron fakti që disa edhe më tutje kanë vazhduar të qëndrojnë në istikame të njëjta. Të konvertuarit dëshirojnë ta konvertojnë secilin. Është kjo njëfarë skeme piramidale, ku të konvertuarit, le të themi të krishterët e rinj, nuk duan që të mbetët askush prapa tyre që do t’ua rikujtonte të kaluarën.
Fakt i gjallë dhe i lëvizshëm për këtë që po e them ishte një intervistë e Albin Kurtit në RTK, kur ishte pyetur për një deklaratë të dhënë për media nga shefi i stafit të tij, Luan Dalipi. Kurti kishte thënë se nuk pajtohej me mënyrën se si Dalipi i kishte gjeneralizuar akuzat e tij për mediat. Madje kur fliste, zgërdhihej nga pak. Sikur dëshironte të thoshte se këta të rinjtë po nguten.
Ky fenomen nuk është vetëm brenda LVV-së. Ne e kemi parë edhe gjuhën që e ka përdorur për mediat burri i bashkëshortes, Prindon Sadriu, por edhe disa të tjerë brenda Listës Guxo. Edhe këta, si partner xhuxh në koalicionin e madh, e kanë të rëndësishme që ta bindin LVV-në se janë xhuxh vetëm politikisht, por idetë dhe zemrën e kanë të madhe, posaçërisht në raport me mediat.
Liburni dhe garda e vjetër tash duken të moderuar. Dikush tjetër po i thotë të gjitha ato që këta i kishin thënë kohë më parë. Tash i kanë mashat e shoqërisë civile që i kapin gështenjat e nxehta mbi gaca.
Sido që të jëtë, asgjë prej këtyre që i thashë më lart nuk duhet të ndikojë, as të jetë arsye, që gazetarët, këta që kanë mbetur, t’i heqin gurët e mezhdave dhe t’ua japin hapësirën gjonturqve, ose turqve të rinj. Përkundrazi, duhet të luftojmë që t’i kthejmë këto mezhda atje ku e kanë vendin, atje ku i kanë caktuar të jenë disa të tjerë para nesh. Fjala e Albinit mund të jetë e shenjtë vetëm te një qark i caktuar politik, por jo anekënd Kosovës, prandaj mohimi i tij nuk është blasfemi. Së paku ende jo.
Do t’u hyja në hak këtyre që i përmenda më lart, sikur të mos i futja në një ligë të njëjtë me ta edhe bankën rezervë të ekipit të LVV-së, këta që kanë dalë nga akademia e partisë, që për momentin nuk luajnë në ekip të parë, por shpresojnë që një ditë edhe do të luajnë. E kam fjalën për Arlindin, Egzonin, Arianitin, dhe djem të kësaj kategorie, që janë të parët që e fillojnë fushatën ndaj një portali a ndonjë gazetari, të cilës pastaj i bëjnë jehonë figurat e konvertuara. Këta, për dallim nga Dimali, Mimoza, Armendi, janë të stërvitur, janë lojalë dhe janë në gjendje të punojnë pa interes. Interesi i tyre ende nuk është material, ai është politik dhe ideologjik. Jo që kuptojnë diçka nga ideologjia, por janë të bindur, dhe janë të zbutur, nga trajnimet dhe ligjëratat e shumta.
Sigurisht që në sytë dhe mendjet e tyre, këta që Lëvizjes i janë bashkuar pak para fitores, janë oportunistë dhe llaskucë, por që për momentin rrugët u janë bashkuar.
Këto janë kalkulime të brendshme partiake që gazetarëve ndoshta edhe nuk do të duhej t’u interesonte shumë, përveç kur dikush do të dëshironte t’u bënte një psikografi. Ajo çfarë gazetarëve do të duhej t’u interesonte është liria e tyre. E drejta që ajetet e kësaj lirie të mos ua shkruanin këta partizanë. Shoqëritë njohin shumë lëvizje të tilla që kanë ardhur dhe janë larguar, kurse krejt çfarë ka mbetur prej tyre është zullumi dhe hiçgjëja. Prandaj, sa më shumë që këta ankohen, aq më shumë duhet të jemi të bindur që ne po e kryejmë punën tonë dhe se nuk jemi media që i shërbejmë pushtetit. Po të ishte për t’i shërbyer pushtetit, tash do të ishte situata ideale.