Karim Benzema është një nga lojtarët myslimanë më të famshëm në botën e futbollit. Francezi me origjinë algjeriane është veçanërisht në qendër të vëmendjes gjatë muajit të Ramazanit, kur të gjithë besimtarët islamë janë të obliguar të agjërojnë, pra të përmbahen nga ngrënia dhe pirja nga agimi deri në perëndim të diellit.
Benzema luajti ndeshjen e tij më të mirë të vitit këtë herë. Në shtatë minuta, sulmuesi shënoi një hat-trick (trigolësh) kundër Real Valladolid. Carlo Ancelotti e nxori nga loja në minutën e 65-të kur u zëvendësua nga Eden Hazard dhe shumë shpejt u xhirua një video që komprometonte Benzeman.
Megjithatë, u ngrihtën disa dyshime se nëse fituesi i Topit të Artë agjëron në ditët e ndeshjeve, sidomos pas pamjeve nga ndeshja kundër Valladolidit. Teksa Dani Ceballos po merrte instruksionet e fundit para se të hynte në lojë, Benzema u “kap” duke pirë lëngje nga një shishe, por nga një video e publikuar shihet se Benzema vetëm shpërlan gojën, dhe nuk e prish agjërimin siç u aludua dje.