Bashkimi Evropian dënoi dhunën në Zveçan – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës – “në termat më të fuqishëm të mundshëm”.
Një ditë më herët atje, grupe protestuesish serbë, që kundërshtonin instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë, u përleshën me forcat paqeruajtëse të KFOR-it.
Së paku 25 ushtarë u plagosën, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
“Aktet e dhunshme, të kryera ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë absolutisht të papranueshme”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Ne presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes dialogut”, tha Borrell.
Tensionet u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe në veri: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të instaluar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.
Në përleshjet e asaj dite me protestuesit serbë, së paku pesë zyrtarë policorë u plagosën.
Derisa Qeveria e Kosovës e cilësoi si kushtetuese ndërhyrjen e policisë, ajo nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila tha se përdorimi i forcës është i papranueshëm.
Në përgjigje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dha urdhër për vendosjen e ushtrisë serbe në gatishmëri të lartë luftarake./REL