Dhuna e rishfaqur në ambientet e sportit në Kosovë, ka nxitur reagimin e basketbollistit nga Suhareka, Gëzim Morina.
Anëtari i Përfaqësueses së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve, klubeve si dhe federatave sportive që të ndërmarrin masa ndaj dhunës në sport.
Morina, tha se nëse masat kundër dhunës në sport nuk ndërmerren urgjentisht, “pasojat për dikënd mund të jenë shumë të rënda”.
Reagimi i basketbollistit të Golden Eagle Ylli vjen pas sulmit të rëndë nga tifozët e Gjilanit ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, të dielën.
Postimi i plotë i Morinës:
E TMERRSHME !
Kjo çka ndodhi sot në Gjilan, ku tifozët e ekipit vendas hynë në fushë dhe sulmuan lojtarët e FC Ballkani, në veqanti portjerin Stivi Frashëri është e papranueshme .
Sigurimi i ndeshjeve duhet të jetë primar për organet kompetente, këso skenash fatkeqësisht janë të shpeshta kohëve të fundit në vendin tonë ( kujtojmë sulmin ndaj lojtarëve dhe stafit të KB Prishtina disa jave më parë ) si dhe shumë rasteve tjera .
Në asnjë mënyrë tifozët nuk duhet të kenë mundësi konfrontimi fizik me lojtarët dhe stafin, dënimet për klubet organizative duhet të jenë më të ashpëra, ndërsa për tifozët që kryejnë këso sulmesh duhet të ketë edhe dënime me burgim !
Për mua si sportist kjo situatë është tejet shqetësuese, shpresojë të ndërmerren hapa konkret në përmirësimin e kësaj gjendjeje, pasi që nëse presim që ne si shoqëri të vetëdijësohemi, druaj që për dikë mund të jetë shumë vonë dhe që pasojat do të jenë të mëdha .
Në sport nuk ka vend për DHUNË !