Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas fillimit të procedurave nga Qeveria për largimin e kryetarëve në komunat veriore.
Ajo ka shprehur dhembshuri për Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, për të cilin ka thënë se “partia ka vendosur ta sakrifikojë dhe të dalë më vonë me shifra se sa muaj, javë, ditë, orë e minuta ka qëndruar ai në zyrë i ngujuar”.
Bajrami ka thënë se Qeveria po dorëzohet pasi Kosovs iu vendosën sanksione.
“Qeveria e shifrave, Partia në pushtet/Lëvizja Vetëvendosje, tashmë ka dëshmuar se shkelë secilin njeri e familje dhe keqpërdor gjithçka që i del përpara për tu dukë me pak e dështuar. Më dhimbset Lulzim Hetemi, vëllai i dëshmores Fatime Hetemi.
Pra, Lulzim Hetemi është ngujuar në zyrë për shkak se partia ka vendosur ta sakrifikojë dhe të dalë më vonë me shifra se sa muaj, javë, ditë, orë e minuta ka qëndruar ai në zyrë i ngujuar. Dhe do të mundohen ta shesin këtë si sukses. Tash turpshëm po bëhen gati të dorëzohen. Dorëzimi i tyre po ndodh pasi Kosovës iu vendosën sanksione dhe së fundmi edhe delegacione të rëndësishme amerikane po i shtyjnë vizitat në Kosovë”, ka shkruar Bajrami.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Pas pajtimit që ai bëri për shtensionim të situatës në veri të vendit, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka filluar me përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore.
Kjo ministri tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.