Personalisht kam njëfarë bindje se kur flas apo shkruaj për Flamurin kombëtar, kam ndjesi dhe emocione ndryshe.
Për herë të parë më është bërë dhuratë Flamuri kombëtar që e shihni në këtë fotografi më 6 tetor të vitit 1968. Ishte një ditë e bukur me diell, derisa ia shtonte hijeshinë rrëzëllima e vesës së mëngjesit. Ishte dita kur ish-Jugosllavia komuniste lejoi që shqiptarët në ish-Jugosllavi, do të mund ta përdornin zyrtarisht flamurin kombëtar, pasi deri në këtë kohë, për flamurin dhe shqiponjën dykrenare ishin vrarë e burgosur qindra shqiptarë.
Po këtë vit në kampin komunist, ndodhën shumë protesta studentore në Evropën Lindore, derisa protesta të këtilla pati edhe në Kosovë.
Ditën e 6 tetorit të vitit 1968, nuk do ta harroj asnjëherë në jetën time. Isha vetëm katër vjeç dhe Flamuri që m’u bë dhuratë ishte i përmasave të vogla. Ai u soll në familjen time nga studentët shqiptarë, të cilët ishin anëtarë të Shoqatës Kulturore të Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lubjanës, të cilët atëbotë studionin në këtë Universitet prestigjioz së bashku me axhën tim.
Tre vjet më vonë, të njëjtit studentë vizituan Republikën e Shqipërisë. Dekanati i Fakultetit Teknik në Universitetin e Lubjanës, kishte krijuar pretekstin se studentët kishin nevojë për një vizitë studimore në Republikën e Shqipërisë dhe kështu rreth dhjetë studentë shqiptarë patën fatin e tyre të vizitonin Shqipërinë në një vizitë dyjavëshe!
Mbas vizitës, unë fitova edhe dy dhurata; një flamur me shkabën dykrenare dhe një fanelë kuqezi të Klubit të futbollit “Flamurtari” të Vlorës! Flamurin dhe fanelën i ruante me kujdesin më të madh nëna ime në arkën e saj, të cilës gjithmonë i vinte erë ftonjësh. Fanelën kuqezi, nuk e kam veshur më shumë se dy herë në jetën time nga frika se do të më grisej. Derisa unë rritesha, fanela mbeti po ajo në përmasat e vogla të saj!
Edhe sot kujtoj se Flamuri i prodhuar atëbotë në Shqipëri i përkiste një stofi cilësor, por njëzetetetë vjet më vonë, më saktë gjatë operacionit të ushtrisë serbe i koduar me emrin “Patkoi” në luftën e fundit në Kosovë, flamuri kombëtar dhe fanela e Klubit “Flamurtari”, mbetën nën gërmadhat e shtëpisë së djegur…
Flamuri kombëtar, jo vetëm është simboli ynë i shenjtë, por është edhe ndër më të bukurit në botë. Është shkaba dykrenare, e cila qëndron aq bukur mbi stofin e kuq dhe simbolizon aq denjësisht shkathtësinë, forcën dhe energjinë në historinë tonë tragjike, për të mbërrijtur këtu ku jemi sot.