Vitin e fundit, Qeveria e Kosovës e ka vënë në qendër të prioriteteve miratimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë dhe çështja shkoi deri aty, sa draftet e para të këtij ligji përfunduan në Komisionin e Venecias.
Qasja është e gabuar, për faktin se para ligjit për konfiskimin e pasurisë, do të duhej të inicohej ligji i lustracionit, seçse logjika e thotë se ata që kanë problem me ligjin për konfiskimin e pasurisë, kanë një problem më madhor; atë të lustrimit të dosjeve!
Kosova si shteti më i ri në Evropë, do të duhej të lirohej një herë e mirë nga shantazhi kolektiv, që kur u okupua nga Serbia me përgjakjet e mëdha nga tetori i vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999.
Të gjithë ata individë, të cilët nisën të krijojnë pasuri marramendëse nën regjimin e Millosheviqit nga fillimi i viteve ’90-të e deri tash, në fakt kishin traditë bashkëpunimi ndër breza me katër regjimet; Serbinë e Vjetër, Jugosllavinë e Versajës, Jugosllavinë komuniste dhe regjimin e Millosheviqit, derisa bashkëpunimi nuk është shkëputur, as pas çlirimit të Kosovës nga Aleanca veriatlantike!
Derisa mund të hedhim dyshime për dosjet e shërbimit sekret serb në Beograd në raport me Kosovën, dosjet për Kosovën dhe kosovarët janë të ruajtura mirë në mikrofilma edhe në dy ish-republikat jugosllave në Kroaci e Slloveni. Këto dy shtete, jo vetëm janë miqësore me Kosovën, por ato tashmë janë edhe anëtare të BE-së, prandaj Qeveria e Kosovës po të ketë vullnet, nuk mund të hedh asnjë hije dyshimi për vërtetësinë e tyre.
Për aq kohë sa nuk ndodh lustrimi i dosjeve, Kosova do të vazhdojë të mbetet nën shantazhin e shtetit fqinj. Serbia, dosjet e shqiptarëve i trajton si “resurse të çmuara” dhe ajo mund t’i hapë, vetëm kur i duhet për të shantazhuar klasën politike dhe bosët e kompanive të mëdha. Të mbërthyer nën tutelën e këtij Shërbimi, ish-sigurimsat kosovarë i fuqizuan pasardhësit e tyre në krye të institucioneve dhe shumë sish, mbajnë pozita të fuqishme në hierarkinë më të lartë shtetërore të Kosovës, pasi shefat e tyre në Beograd, duan që Republika e Kosovës të jetë jofunksionale. Kërkesa serbe e fillimshekullit të ri, në fakt është sajesa e fillimshekullit të kaluar, e disejnuar në Kabinetin e kryeministrit serb, Nikolla Pashiq. Shteti kosovar është dy herë i kapur; nga Beogradi, i cili i shantazhon me hapje dosjesh për bashkëpunëtorët e tij dhe nga oligarkët, të cilët u pasuruan gjatë regjimit të tiranit serb, Millosheviq.
Shqiptarët andej e këndej kufirit, për model duhet të marrin Gjermaninë e bashkuar. Kur u shemb Muri i Berlinit në nëntor të vitit 1989, Qeveria gjermane vlerësoi: Secili gjermanolindor mund t’i ketë në duar dosjet e STAS-it, shërbimit më të frikshëm sekret në kampin komunist. Ishte mënyra më e mirë që kombi gjerman të lirohej nga e kaluara e errët. Sigurimsat e STAS-it, as u ndoqën penalisht, as mundën të ngjiten sërish në krye të shtetit. Sikur të ndodhte njësoj në dy shtetet shqiptare, do të prosperonim më shpejtë dhe mbrapa krahëve do të mbetej e kaluara e hidhur.
Shqiptarëve si asnjë kombi tjetër në Gadishull i duhet pastrimi i ndërgjegjes dhe derisa të mos ndodh kjo, atëherë mbetemi kombi më ndërgjegjevrarë në Gadishull. Ish-udhëheqjet komuniste shqiptare andej e këndej kufirit i rëndon një fakt; ishin më antikombëtaret në kampin komunist, por jo edhe dy policitë tona, sepse dy policitë nuk mund të ishin antikombëtare, pa qenë udhëheqjet e tyre!