Ishte shtatori i vitit 1973, kur për dhuratë pranova një libër të ilustruar me përralla të vëllezërve Grim. Libri mbante titullin “Trëndafila me gjemba”. Si fëmijë, ky libër më provokonte imagjinatën, mbasi për një moment mbretin dhe mbretëreshën, së bashku me personazhet tjerë rrethuar në kështjellë i zë gjumi shekullor. Kur atyre mbas një shekulli u del gjumi, personazhet burra ishin plakur dhe u ishin rritur mjekrrat, gratë dhe vajzat ishin rënduar nga rrudhat e pleqerisë, ndërsa në kështjellën ku jetonin, ishin rritur aq shumë trëndafilat dhe kishin shpërthyer aq shumë gjemba, sa personazhet nuk gjenin dot rrugën për t’u liruar!
Pak a shumë personazhet e përallës së vëllezërve Grim, u ngjajnë qytetarëve të Prishtinës. Tetë vjet më parë, kur Shpend Ahmeti u zgjodh kryetar i Prishtinës, shumë të rinj janë bërë burra e gra, shumë burra e gra kanë nisur të mplaken, por edhe shumë pleqë nga ajo kohë kanë ndërruar jetë. Gjatë këtyre viteve, kryeqyteti i Kosovës është bërë më i plakur dhe më i rrëzbitur, por edhe shumë më i padashur dhe me më pak mundësi jetese normale. Nuk ka ndodhur asnjë investim që ia vlenë të përmendet dhe është shtuar kaosi urban, ku qindra objekte banesore pa asnjë plan urbanistik janë ngritur njësoj si trëndafilat me gjemba në përrallën e vëllezërve Grim.
Për Kryetarin e dështuar të Prishtinës, përgjegjësinë duhet ta marrin qytetarët e saj, por edhe përgjegjësinë morale e penale duhet ta marrë Kryetari për mospërmbushje të premtimeve. Në një vend normal, Shpend Ahmeti do të duhej të përgjigjej për zallamahinë e krijuar në kryeqytet, derisa asnjëherë gjatë këtyre viteve, nuk e ka shqyrtuar dorëheqjen si opsion. Ishte e vetmja zgjidhje për dalje nga kjo situatë, e cila ua ka terrorizuar jetën mijëra qytetarëve të kryeqytetit, por edhe qytetarët, as që e kanë bërë mundin t’ia kërkojnë këtë “akt solemn”.
I gjithë mandati i parë, Shpend Ahmetit i kaloi duke vrapuar pas lëndëve të dërguara në Prokurori për ish-udhëheqjen e Prishtinës nga e cila e kishte pranuar mandatin, si dhe për xhipin famoz të ish-kryetarit, të cilin mbasi as gjatë mandatit të parë nuk mundi ta shiste në ankand, në mandatin e dytë u krijua ndjesia sikur xhipin e zi e kishte zënë mallkimi!
Për këto tetë vite, qytetarët e Prishtinës çdo ditë e kanë përdorur vetëm një slogan: “Shpendi nuk po bën asgjë!”. Në fakt Shpendi ka bërë shumë, pasi mosbërjen e tij qytetarët do ta vuajnë me dekada.
Këto ditë, kur i shoh kandidatët për kryetar të Prishtinës duke bërë fushatë, bëhen sikur nuk dinë se janë duke bërë punë Sizifi. Vetëm për Prishtinën nuk mund të premtosh asgjë. Prishtina i ka humbur të gjitha mundësitë për t’u bërë kryeqytet normal. Nuk mundet, sepse kostoja për “retushim” urban, është më e madhe se ngritja e një kryeqyteti të ri!
Që nga viti i kaluar, më provokon shumë fotografia e Shpendit duke dremitur! Jam fort i bindur kur vitin e kaluar gjatë pandemisë, Shpendi t’i ketë thënë ndonjë vartësi t’ia bëj këtë foto “monumentale”, mbasi medemek është lodhur aq shumë nga puna sa e ka zënë gjumi mbi tavolinë! Jam po ashtu fort i bindur se kur vartësi ia ka bërë fotografinë, do t’i ketë thënë:
– Shef, e fortë ka dalë!
– Të fortë jemi dosti jem!, – mund t’i jetë përgjigjur shefi.