Dhimbja është ende e madhe për Gjergj Nikajn, i cili humbi 2 mbesat e tij 19 dhe 15 vjeçe, ndërsa vajza dhe nipi i tij vijojnë të trajtohen në spital në Itali nga plagët e marra si pasojë e shpërthimit të gazit.
I lënduar nga disa lajme që njoftuan dje vdekjen e së bijës, me lot ne sy Gjergj Nikaj tregon se vajza e tij, Alketa dhe nipi, Enriko fatmirësisht jetojnë, por ende nuk kanë dalë nga rreziku.
“Kur vijë në shtëpi, shoh oborrin plot. Them se; çfarë ka ndodhur?!’ Ndez televizorin, s’më shkonte ndërmend për vajzën. Por mora djalin në telefon dhe e pyeta. Djali më tha; o bab do të them troç, se ka kaluar ende rrezikun. 4 javë që e kam nisur fëmijën në Itali. Zoti ça të shkruaj, le të bëjë.”, tha ai.
Vajzat e familjes Gjoka 19 dhe 15 vjeçe ndërruan jete javë më parë në një spital në Itali, pasi nuk mundën t’ju shpëtonin djegieve të rënda të shkaktuara nga shpërthimi i bombolës së gazit. Gjergj Nikaj falënderon deputetin Tom Doshi, i cili e vizitoi dhe i ofroi ndihmë në spital ditën kur ndodhi ngjarja e rëndë. Ndërsa për sa i përket ministrisë së Shëndetësisë thotë se nuk i ofroi asnjë mbështetje.
“Tom Doshi, ka ardhur hyri në spital. Ai pyeti se kush ishte baba dhe nëna, dhe më takoi. I vetmi njeri që më ka lënë respektin më të madh të jetës time. Ministria e Shëndetësisë as nuk na tha; të shkuara ju qofshin, apo as që do të përpiqemi. Pasi siç hyri brenda, ashtu doli jashtë”, shtoi ai.
Gjergj Nikaj thotë se edhe për transportin e të plagosurve jashtë vendit iu desh të paguanin ambulanca private, pasi shteti nuk ua mundësoi këtë shërbim. “Asnjë ndihmë në botë, me çka di unë. Kemi marrë 4 ambulanca private.”, -tha i moshuari.
Ngjarja e rëndë që ka lënduar thellësisht familjen dhe tronditi mbarë opinionin, ndodhi në 4 korrik në hotelin e tyre në Velipojë, kur Alketa ndezi bombolën për të bërë kafen, por gazi që kishte rrjedhur shpërtheu duke plagosur nënën 40 vjeçare me 3 fëmijët e saj. 2 vajzat për fatin e keq nuk mbijetuan dot, ndërsa po lufton për jetën nëna e tyre, Alketa dhe djali 12-vjeçar Enriko Gjoka.