Avokatja e mbrojtjes e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ka filluar deklarimet fillestare në gjyqin që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë ku po gjykohen për krime lufte.
Ajo, në fjalën e saj ka thënë se Krasniqi në moshën 47 vjeçare u detyra të braktiste ëndrrën e tij për një jetë paqësore dhe të qetë dhe vendosi të luftojë për popullin e tij, fëmijët dhe brezat e ardhshëm të Kosovës.
“Jakup Krasniqi tani është 72 vjeç, 25 vjet më parë, ai u ndje i detyruar të kyçet në UÇK për të mbrojtur popullin e vet në lidhje me një sulm të dënuar nga bota e lirë dhe sipas parashtrimeve të mija, jo vetëm nga bota e lirë, por nga të gjithë njerëzit me besime dhe qëndrime normale. Nuk mund të harrojmë se regjimi ndaj të cilit po luftonte ishte i njëjti regjim që shkaktoi kaos dhe oqean lotës, zemërthyerje, mjerime e shkatërrime në gjithë Ballkanin. Ky regjim shkaktoi mes krimesh të tjera edhe gjenocidin në Srebrenicë. Ndoshta mund ta kuptoni se pse Jakup Krasniqit, atëherë 47 vjeçar, ju desh të lente mënjanë shpresat dhe ëndërrat e tij për një jetë paqësore për të luftuar për popullin e Kosovë dhe fëmijët e tij dhe për brezat e ardhshëm që do të jetonin në një Kosovë paqësore”, është shprehur avokatja e Krasniqit.
Alagendra ka thënë se roli i Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së ka qenë i njohur publikisht dhe se ai nuk ka përdorur pseudonime.
“Roli i Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së është i njohur publikisht për 25 vjet, një çerek shekulli, që nga shpallja e emërimit të tij në qershor të vitit 1998. Deklaratat e bëra të tij në mbështetje të UÇK-së u bënë publike, në marrëdhëniet e tij me mediat dhe përfaqësuesit ndërkombëtare ai përdorte emrin e tij. Ai nuk ka përdorur pseudonime, gjithçka që ka bërë ka qenë e hapur dhe publike”, tha ajo.
Më tutje, avokatja ka thënë se pavarësisht faktit se Krasniqi ka dëshmuar edhe në rastin Limaj në vitin 2005 edhe në rastin Haradinaj në vitin 2007, nuk është sugjeruar asnjëherë që ka qenë i përfshirë në ndonjë krim ose shkelje.
Sipas saj, kjo pavarësisht faktit se krimet themelore në çështjet e përmendura janë bazë në çështjen gjyqësore të tanishme ndaj tij.
“18 vite më parë zoti Krasniqi u intervistua dhe më pas u thirrë si dëshmitar nga zyra e Prokurorit të TPNJ-së nja një ekip që përfshinte ndër të tjerë edhe ushtruesin e detyrës së prokurorit të Specializuar Alex Whiting, ai dëshmoi në çështjen Limaj 2005 dhe çështjen Haradinaj 2007, askush nuk sugjeroi se ai ishte i dyshuar apo se ishte personalisht i lidhur me ndonjë krim. Pas dëshmisë së tij, ai u kthye në Kosovë. Z. Krasniqi ka dhënë dëshmi si dëshmitar në të dy çështje të tjera në vitin 2018, përsëri, askush nuk kishte sugjerime se ai ishte i dyshuar apo fajtor për ndonjë krim apo shkelje në ato çështje edhe pse krimet themelore në ato çështje janë pjesë e bazës së krimit në këtë çështje gjyqësore”, tha Alagendra.
Alagendra ka thënë se Krasniqi s’përmendet në raportin e Këshillit të Evropës si i dyshuar për përgjegjësi penale dhe pas 20 vitesh hetime, ai u arrestua më 4 nëntor, siç shprehet ajo nga policë të armatosur, në praninë e familjes së tij dhe u dërgua në Hagë i prangosur.
“Është e rëndësishme të theksohet gjithashtu se z. Krasniqi nuk përmendët në raportin e Këshillit të Evropës së vitit 2011 si i dyshuar për ndonjë përgjegjësi penale. Pas më shumë se 20 vitesh hetime të krimeve të luftës të kryera nga TPNJ-ja dhe po aq viti shqyrtimi politik dhe mediatik në Kosovë, z.Krasniqi nuk është arrestuar kurrë për ndonjë krim. Megjithatë, më 4 nëntor 2020, rreth orës 06:00 të mëngjesit, shtëpia e tij u rrethua nga policë të armatosur, shtëpia u kontrollua në praninë e familjes së tij dhe ai u soll në Hagë i prangosur. Në moshën 70 vjeçare, pavarësisht historisë së tij të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, atij nuk iu dha një mundësi dinjitoze për t’u paraqitur vullnetarisht. Të nderuar gjykatës, ne parashtrojmë se ai meritonte më shumë”, tha ajo.
Alagendra ka thënë se arrestimi i tij ka habitur dhe tronditur të gjithë pasi nuk arrinin lidhje midis aktakuzës dhe personin që është Krasniqi.
Avokatja iu është drejtuar gjykatësve duke iu thënë se do ta kuptojnë në procesin ndaj tij, dështimin e Prokurorisë për të provuar çështjen ndaj Krasniqit përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Me të vërtetë, ishte goditje e madhe për z. Krasniqi dhe familjen e tij dhe të nderuar gjykatës edhe për gjithë popullin e Kosovës. Njerëzit u tronditën dhe u hutuan sepse nuk lidhnin dot akuzat në këtë aktakuzë me personin që ata e kanë njohur që është z. Krasniqi dhe personin që ai është sot. Kam besim të plotë që gjatë gjithë këtij gjykimi ju të nderuar gjykatës do të shihni jo vetëm se si Prokuroria ka dështuar në përpjekjen e saj për të provuar çështjen ndaj z. Krasniqi përtej dyshimit të arsyeshëm, por do të shikoni gjithashtu se si ai nuk do duhej të ishte akuzuar fare”, tha Alagendra. /Botapress.info/