Ish-kryeministri Avdullah Hoti, aktualisht deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës ka analizuar situatën e krijuar ditëve të fundit në vendin tonë, me theks të veçantë zhvillimet në veri të vendit.
Hoti në një postim të tij në Facebook ka thënë se në veprimet e ndërmarra lidhur me targat e automjeteve në komunat në veri, Kosova ka plotësisht të drejtë. Por është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve.
Por nëse këto veprime të Qeverisë, që janë të drejta por që nuk e kanë mbështetjen e miqve vetëm sa i përket kohës së ndërmarrjes së tyre, çojnë në situatë kur në vend të institucione të Kosovës aktivizohet KFOR-i e EULEX-i për të ruajtur rendin dhe sigurinë në ato komuna, atëherë është e qartë se kjo politikë e Qeverisë nuk i ka shërbyer interesave të shtetit të Kosovës, ka shkruar Hoti në Facebook:
Ja postimi i tij i plotë
Kosova ka pasur gjithmonë të drejtë në çdo veprim që ka ndërmarrë në 30 vitet e fundit në përpjekjet e veta për të fituar fillimisht lirinë, e mandej shtetin e pavarur dhe fuqizuar sovranitetin shtetëror, rendin dhe ligjin. Por përpjekjet tona kanë pasur sukses vetëm kur janë koordinuar dhe mbështetur nga miqtë euro-atlantik. Ne e kemi shpallur njëherë pavarësinë në fillim të viteve të ‘90-ta. Mandej e kemi shpallur prapë më 2008, për shkak se herën e parë nuk ka pasur mbështetje nga miqtë.
Në veprimet e ndërmarra lidhur me targat e automjeteve në komunat në veri, Kosova ka plotësisht të drejtë. Këtë e kanë konfirmuar edhe miqtë. Por është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve.
Nëse këto veprime të Qeverisë, që janë të drejta por që nuk e kanë mbështetjen e miqve vetëm sa i përket kohës së ndërmarrjes së tyre, çojnë në situatë kur në vend të institucione të Kosovës aktivizohet KFOR-i e EULEX-i për të ruajtur rendin dhe sigurinë në ato komuna, atëherë është e qartë se kjo politikë e Qeverisë nuk i ka shërbyer interesave të shtetit të Kosovës.