Prej vitit 2009 qytetarëve të Kosovës u është premtuar liberalizimi i vizave. Kanë kaluar 12 vjet dhe kjo çështje mbetet aktuale, porse tash, politikanët duket se janë heshtur me premtime se do të ndodhë liberalizimi.
Javë më parë, Komisioni Evropian edhe njëherë i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta çojë përpara procesin e liberalizimin të vizave për Kosovën.
Zyra për media e Komisionit Evropian, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, ka kujtuar edhe njëherë se Kosova, i ka përmbushur kriteret e kërkuara, prandaj, kjo nuk ka ndryshuar pozicion rreth liberalizimit të vizave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha muajin e kaluar se Kosovës do të duhej t’i hiqeshin vizat në vitin e ardhshëm. Sipas tij, ka ardhur koha për një gjë të tillë.
Kurti po ashtu ka premtuar se me qeverisjen e tij, do të punojë që të arrihet liberalizimi i vizave për kosovarët.
Në vitin 2018 Komisioni Evropian ka konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së heqjen e regjimit të vizave. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.
Nga Bashkimi Evropian nuk ka asnjë lëvizje drejt vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndonëse janë shpeshtuar thirrjet që kjo të ndodhë./Botapress.info/