Për implementimi e vendimit të Bankës Qendrore për dinarin, ish- kryenegociatori për dialogun, Avni Arifi thotë se do të duhej të diskutohej me BE-në.
Por pasi e refuzoi një gjë të tillë, Arifi thotë që Qeveria po mundohet të pajtohet me Serbinë për tema të brendshme të Kosovës.
“Rregullorja e BQK-së është jashtë kompetencave të Qeverisë, mirëpo çështja e implementimit ka qenë një çështje që ka mundur me diskutu paraprakisht me faktorin ndërkombëtarë dhe me u pajtu për një plan të implementimit, mirëpo këta nuk kanë dashur me u pajtu me bashkësinë ndërkombëtare dhe tani po synojnë me u pajtu me Serbinë për tema të brendshme të Kosovës”, tha ai për FrontOnline.
Ndryshe, Bislimi dhe Petkoviq ishin dakorduar që të ofrojnë propozime teknike deri me datë 22 mars, të cilat u trajtuan në takimin e së hënës, por që përfundoi pa sukses.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.