Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur historike ditën e sotme meqë sot Kosova dorëzon aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Pas ceremonisë së nënshkrimit bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, Osmani në prononcimin për media tha se ky është një hap për të çuar Kosovën më afër BE-së.
Kurti thotë se aplikimi për anëtarësim në BE do të dorëzohet në Pragë
“Sot është një ditë historike dhe është moment historik. 14 dhjetori ka një histori moderne në Republikën e Kosovës ku shënojmë themelimin e ushtrisë tonë dhe aplikimin për në Bashkimin Europian. Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër Bashkimit Europian. Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternativ tjetër. Ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë, por mbi të gjitha ky moment i dedikohet çdo fëmijë, gruaje e burri të Kosovës ku u përballëm padrejtësi me gjenocid”.
Osmani tha se Kosova është vend i të drejtave të njeriut, i mediave të lira, garantuese e lirive fetare dhe shtoi se rruga e shtetit më të ri në kontinentin e vjetër është e qartë.
“Ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses dhe ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë në mënyrë që BE-ja ta ketë më të lehtë pjesën e punës së vet”./Gazeta Botapress/